AlbanianSport.com 06/04/2020 18:55
ASNN – Flet Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit. “Sezoni aktual i Serisë A të Kampionatit Italian të Futbollit mund të zgjasë deri në muajt e vjeshtës.” Kështu ka deklaruar të dielën në mbrëmje Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina. Ndërkohë, UEFA ka mohuar se 3 gushti është afati përfundimtar për të mbyllur sezonin e Ligës së Kampioneve.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, ka konfirmuar të dielën në mbrëmje se sezoni aktual i Serisë A mund të zgjasë deri në shtator apo tetor. Gravina tha se do t’i pëlqente që të riniste kampionati në fund të majit, por masat kufizuese në Itali për parandalimin e përhapjes së koronavirusit janë në një afat të pacaktuar. Megjithatë, 66-vjeçari Gravina është i gatshëm që sezonin 2019-2020 ta vazhdojë deri në muajt e vjeshtës.
“Mënyra e vetme për të përballuar një emergjencë kaq serioze është të përmbyllim sezonin 2019-2020 brenda këtij viti, në çdo mënyrë që të mundemi, – ka thënë Gravina për “Rai Sport”. – Ne po punojmë në hipoteza të ndryshme për të menaxhuar këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme. Data e mundshme për rinisjen e sezonit është 17 maji, por ne e dimë, dhe e përsëris, se kjo është vetëm si mundësi. Vazhdimi i sezonit të Serie A deri në shtator apo tetor po ashtu është i mundshëm.”
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë.