AlbanianSport.com 01/10/2019 20:20
ASNN – Gjokoviçi, gati të rikthehet në fushë. Por nuk ngurron të bëjë edhe një ndeshje sumo. Pasi ka kaluar problemet në shpatull, të cilat e detyruan të tërhiqej nga Turneu i Hapur Amerikan (US Open 2019), Novak Gjokoviçi është gati tashmë të rikthehet në fushë. Kampioni serb ndodhet në Tokio, aty ku do të luajë për herë të parë në turneun lokal.
Aty do të provojë edhe se sa është rikuperuar dëmtimi në shpatull. Në pritje për të zbritur në fushë, numri 1 në botë është ngjitur në Dohio, zona që përdoret për të bërë “sumo”. Në një situatë komike, që ka shkaktuar edhe të qeshura, Novaku ka provuar të bëjë disa lëvizje e në një farë mënyrë të luftojë me një nga mundësit vendas. “Ka qenë një përvojë e veçantë dhe e paharrueshme”, – ka thënë serbi.
“U ndjeva disi jashtë forme për të bërë sumo, – ka bërë më pas shaka Gjokoviçi. – Mendoj që, nëse do të shtoj disa kg më shumë, do të jem gati për t’u ndeshur. Ndoshta trefishi i peshës time, do të ishte i duhuri për të garuar.” Dhe i mbiquajturi Nole nuk ngurron asnjëherë të krijojë situata komike, nuk kishte si t’i shpëtonte edhe sumo, ky sport aq popullor në Tokio.