AlbanianSport.com 17/08/2018 21:20
ASNN – Përtej vendimit për ta lënë në 4 numrin e futbollistëvetë huaj në fushë në Kategorinë Superiore, qëndron në fakt një arsyetim që është pasqyrë e një mendësie të dëmshme që mbizotëron në futbollin shqiptar. Duke mos u kujdesur për talentet vendase të futbollit, shumica e presidentëve apo drejtuesve të klubit i bien shkurt, duke zgjedhur të marrin lojtarë të gatshëm, domethënë të huaj, thjesht dhe vetëm sepse janë të tillë.
Ndryshe nga sa pritej dhe nga sa u krijua ideja gjatë takimit të mërkurën me përfaqësuesit e 10 klubeve që marrin pjesë në Kategorinë Superiore të këtij sezoni, në lidhje me propozimin e tyre për numrin e futbollistëve të huaj në fushë, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit vendosi që Komisioni i Garave të hartojë një raport të zgjeruar dhe të argumentuar për ndryshimin e numrit të lojtarëve të huaj që aktivizohen në kampionatin kombëtar.
Me pak fjalë, organi drejtues i FSHF-së, e la në fuqi, të paktën për momentin, numrin 4 të futbollistëve të huaj që një skuadër shqiptare mund të ketë në të njëjtën kohë në fushën e lojës. Sipas kryetarit të këtij Komisioni, Edvin Libohova, propozimi ka qenë për rritje të numrit në 5, pa propozimit të vetë klubeve. Ndërsa Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysien Nurishmi, ka theksuar se vendimi i Komitetit Ekzekutiv e lë të pandryshuar numrin e këtyre lojtarëve, të paktën për gjysmën e parë të sezonit.
Natyrisht, përtej këtij vendimi qëndron në fakt një arsyetim që është pasqyrë e një mendësie të dëmshme që mbizotëron në futbollin shqiptar. Duke mos u kujdesur për talentet vendase të futbollit, shumica e presidentëve apo drejtuesve të klubit i bien shkurt, duke zgjedhur të marrin lojtarë të gatshëm, domethënë të huaj, thjesht dhe vetëm sepse janë të tillë. Por, sikundër ka ndodhur jo në pak raste, këta lojtarë të huaj nuk e përligjin pritshmërinë, duke qenë më tepër kalimtarë në kampionatin shqiptar.
E ndërkohë, ata i kanë zënë vendin një lojtari shqiptar me potencial, i cili duhet të vegjetojë në stol, apo detyrohet të lëvizë në drejtim të një skuadre të niveleve inferiore. Janë të paktat klubet që kanë një sistem të qëndrueshëm të ekipeve zinxhir dhe edhe më të pakta rastet kur një lojtari të dalë nga ky sistem t’i jetë dhënë shansi për ta provuar veten në ekipin e parë.
Natyrisht, çështja e lojtarëve të huaj përkundër aktivizimit të futbollistëve të rinj është një çështje që diskutohet prej shumë vitesh, me Federata të vendeve të ndryshme që kanë përqafuar qasje të ndryshme, që nga kufizimet e detyruara, e deri tek liberalizimi i plotë, natyrisht, edhe me pasojat përkatëse. Por, ndërkohë që niveli i këtyre prurjeve nuk është ka bërë bindshëm diferencën, atëherë shtrohet pyetja nëse ia vlen shtimi i numrit të tyre në fushë.
Në Kategorinë Superiore janë rreth 50 futbollistë të huaj, po ajo që është e sigurt, është se, rreth 20 % e tyre praktikisht i kanë zënë rrugën talentit vendas. Megjithatë, sezoni i ri do ta tregojë nëse vendimi i Komitetit Ekzekutiv ka shërbyer në të mirë apo në dëm të futbollit në vend.