AlbanianSport.com 25.01.2017 08:50
ASNN – Kuqezinjtë e futbollit të sallës kanë korrur një fitore spektakolare, 7-1, të martën ndaj Bullgarisë, në ndeshjen e parë të grupit D të paraleminiatoreve të Evropianit. Ky grup po i zhvillon ndeshjet në Bullgari dhe sfida e radhës për kuqezinjtë e futbollit të vogël përballen sot me Anglinë, ku një fitore mund të nënkuptojë kualifikimin. Kështu, Shqipëria po merr pjesë në fazën paraeliminatore të Kampionatit Evropian të Futbollit të Sallës.
Dhe kuqezinjtë kanë korrur të martën një fitore spektakolare, me shifrat 7-1 ndaj Bullgarisë vendase. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për grupin D të kësaj faze paraeliminatore, nga e cila vetëm 7 vendet e para të çdo grupi kualifikohen më pas për në fazën eliminatore, që gjithashtu zhvillohet me sistem grupi. Ndeshja e së martës ka folur e gjitha për kuqezinjtë, që kanë triumfuar ndaj bullgarëve me 3 gola të shënuar nga Selmanaj, dy nga Brahimi dhe nga një gol të shënuar nga Mullai dhe Shkodra.
Golat e Brahimit dhe Selmanajt, në minutat 13 dhe 14 kanë bërë që 20-minutëshi i parë të mbyllet me epërsinë dygolëshe të skuadrës kuqezi, të drejtuar nga trajneri Erind Resuli. Selmanaj gjen golin e tij të dytë, dhe të 3-tin e Shqipërisë, në minutën e 22-të dhe, ndonëse Stojkov do të shkurtojë largësinë e golave për bullgarët në minutën e 28-të, janë Brahimi, Selmanaj, Mullai dhe Shkodra që do të gjejnë secili rrugën e rrjetës, përkatësisht në minutat 33, 35, 39 dhe 40.
Ata kanë vulosur kështu një fitore të thellë, që u jep kuqezinjve të drejtë të shpresojnë për kualifikimin për më tej. Shqipëria ndan vendin e parë dhe të dytë, me nga 3 pikë secila, me Anglinë, e cila të martën mundi Maltën me shifrat 6-1. Dhe takimi i radhës, ai që luhet sot, për Shqipërinë, është pikërisht ndaj Anglisë, ku një fitore do të nënkuptonte praktikisht kualifikimin për në fazën eliminatore.