AlbanianSport.com 27/08/2019 19:40
ASNN – Nga një përballje me Marokun, Shqipëria, tanimë në grup me Italinë, Libinë dhe Francën. Në Patras të Greqisë po zhvillohen Lojërat Mesdhetare të Plazhit dhe një nga sportet në të cilët do të konkurrohet është edhe futbolli i rërës. Kombëtarja e futbollit të rërës është stërvitur përgjatë dy ditëve të fundjavës në plazhin e Gjirit të Lalëzit, përpara se të nisej të hënën pasdreke për në Patras, ndërsa ndeshjen e parë supozohej ta luante më 28 gusht 2019, aty ku do të përballej në një tur paraeliminator me Marokun.
Por, sikundër ka pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nëpërmjet komunikimit elektronik nga Greqia, trajneri i Kombëtares, Ergys Kadiu, tanimë ka ndryshuar edhe formula e garës, por edhe kundërshtarët e Shqipërisë. Kështu, 8 skuadrat që janë regjistruar për këtë turne, teksa 3 vendet afrikanoveriore, Egjipti, Algjeria dhe Tunizia nuk janë paraqitur, janë ndarë tashmë në dy grupe dhe Shqipëria do të përballet me Italinë, Libinë dhe Francën.
Dhe aventura e Shqipërisë së futbollit të rërës do të nisë pikërisht me përballjen me francezët, që nis të mërkurën në ora 14:00, për të vijuar me përballjen me dy rivalet e tjera të grupit. Ashtu sikundër ishte shprehur edhe para nisjes për në Greqi, Kadiu ka përsëritur se mbetet optimist për një paraqitje të mirë në këto Lojëra Mesdhetare, duke synuar shkuarjen sa më larg në turneun e futbollit të rërës.