AlbanianSport.com 30.08.2017 19:45
ASNN – Vllaznia është ende në pritje të mësojë fatin e saj në Ligën e Kampioneve në futboll për femra, ndonëse faza e grupeve u mbyll dhe shkodranet u renditën të dytat, me 6 pikë, 3 më pak sesa PAOK-u i Selanikut, i cili u kualifikua për më tej dhe do të jetë midis skuadrave që do të përzgjidhen në shortin e së premtes për turin e 32-shes, i cili, sikundër edhe turet e tjera në vijim, deri në finalen e madhe të 24 majit të vitit të ardhshëm në Stadiumin “Valeri Lobanovski” të Kievit, do të zhvillohet me sistem eliminimi vajtje-ardhje.
Shkodranet e patën fituar ndeshjen e parë, duke triumfuar 1-0 nda FK Sarajevës, por kanë vijuar ta humbin ndeshjen e dytë me PAOK-un e Selanikut. Megjithatë, ekipi shqiptar pretendon se skuadra greke ka futur në fushë në ndeshjen e parë me Betemburgun, një lojtare me identitet të rremë. Një gjë e tillë është vënë në dukje nga klubi shqiptar dhe greket nuk e kanë aktivizuar lojtaren në fjalë në ndeshjen me Vllazninë, ndonëse e kishin në protokoll. Për këtë qëllim, drejtuesit e klubit kuqeblu të futbollit të femrave kanë paraqitur një ankesë zyrtare pranë UEFA-s.
Ankesë të cilën e kanë shoqëruar edhe me një dosje të hollësishme ku çdo gjë është ilustruar madje me foto. Shkodranet pretendojnë se lojtarja Eleni Janu, 23 vjeç, nuk ka udhëtuar me skuadrën greke, për shkak të një dëmtimi, por në vendin e saj, me emrin dhe dokumentancionin e saj, në ndeshjen e parë me skuadrën luksemburgase, ka luajtur 18-vjeçarja Krisa Tsakiri, e cila, në ndeshjen me Vllazninë është dërguar fillimisht në tribunë e më pas është larguar nga stadiumi nga drejtuesit e skuadrës selanikase. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë tanimë organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, pasi edhe koha nuk premton shumë.