AlbanianSport.com 28.02.2017 14:35
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave është përballur sot në një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e femrave të Malit të Zi, duke triumfuar me shifrat 5-3. Në fakt, ky takim miqësor, i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në kanalin RTSH Sport të të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, pati dy pjesë krejt të kundërta me njëra-tjetrën.
Në 45 minutat e para, janë mikeshat nga Mali i Zi që dominojnë, duke kaluar në epërsi që në minutën e 3-të, me anë të Kuçit, e duke dyfishuar shifrat me anë të Bojatit, 17 minuta më pas. Por, në pjesën e dytë, vajzat kuqezi do të përmbysin gjithçka. Fillimisht Jashari në minutën e 53-të dhe Hashani 5 minuta më pas, do të rikthejnë barazinë në rezultat, në shifrat 2-2.
Por Mali i Zi, i drejtuar nga ish-trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhi-osmanoviç, do të rikthehet në kryesim, falë golit të dytë personal të Bojatit, në minutën e 80-të. Po vajzat kuqezi, të drejtuara nga ish-lojtari i Vllaznisë, Armir Grima, do të shpërthejnë në 10 minutat e fundit, duke përfituar nga dy goditje të lira dhe një goditje këndi, dhe duke gjetur rrugën e rrjetës.
Gjini dhe Memedov do të përmbysin shifrat me dy gola të realizuar brenda një minute, në të 88-ën, ndërsa Bajraktari vulos fitoren 5-3 me një gol të shënuar në minutën e 2-të shtesë.