AlbanianSport.com 10/03/2024 15:15
ASNN – Eliminatoret e Evropianit në futboll për femra, Riza: “Jemi pretendentë për vendin e parë në grupin C5, synojmë rikthimin në Ligën B”. Shqipëria e vajzave kuqezi njohu të martën kundërshtaret për Eliminatoret e Evropianit “Zvicër 2025”. Në shortin e hedhur nga UEFA në Nion të Zvicrës, goglat e pozicionuan Kombëtaren e vajzave në grupin C5, përballë Estonisë dhe Luksemburgut.
Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Florian Riza, në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin në vend, ka komentuar shortin dhe rivalet e Shqipërisë në Eliminatoret e Evropianit “Zvicër 2025”. “Shorti na vuri përballë me Luksemburgun dhe Estoninë”, – ka thënë ai fillimisht.
“Në fakt ne jemi kokë grupi dhe jemi në një grup me tre ekipe, i vetmi për Ligën C të Eliminatoreve për Evropianin “Zvicër 2025”, – ka vijuar Riza. – Ekipet janë relativisht të forta, por mendoj që edhe ne jemi një ekip i fortë dhe pretendentë për të dalë të parët, për të kaluar më pas në Ligën B. Objektivi mbetet rikthimi në Ligën B të Ligës së Kombeve në futboll për femra, por është një objektiv për ekipin tonë.”
Më tej, Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF shpjegoi edhe skemën e Eliminatoreve në rrugën drejt Evropianit “Zvicër 2025”. “Skema funksionon e tillë, që vendi i parë i çdo grupi në Ligën C, pra 5 prej tyre dhe 3 të dytat më të mira, pra 8 ekipe do të ndeshen në fazën e parë të “play-off”-eve, me 4 ekipet e fundit dhe 4 ekipet e parafundit të Ligës A”, – ka sqaruar ai.
“Fitueset e këtij “play-off”-i do të ndeshen me fitueset e “play-off”-it të Ligës B, që në total do të bëjnë 14 ekipe dhe prej tyre do të dalin 7 ekipe, që do t’u bashkohen 8 ekipeve të para të Ligës A dhe Zvicrës që organizon “Euro 2025” për femra”, – ka vijuar zyrtari i FSHF-së, që më pas ka sqaruar edhe çështjen e kalendarit të ndeshjeve të këtij grupi eliminator.
“Shorti i UEFA-s na i vuri data e ndeshjes në një pozicion të vështirë, por ne arritëm që nëpërmjet komunikimit me dy ekipet e tjera kundërshtare të përcaktonim një short tonin. Pra ndeshja e parë do të luhet në Luksemburg më datë 5 prill, e dyta më 9 prill ndaj Estonisë në Stadiumin “Arena Kombëtare”. E treta do të jetë në Estoni më datë 31 maj dhe ndeshja e fundit në Stadiumin “Elbasan Arena” me Luksemburgun”, – përfundoi Florian Riza.