AlbanianSport.com 18/09/2021 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave për grupmoshën e Nën-17-vjeçareve ka nisur që prej 15 shtatorit grumbullimin në prag të ndeshjeve eliminatore të vlefshme për Kampionatin Evropian 2021-2022. Ekipi i drejtuar nga trajneri Agustin Kola po stërvitet intensivisht në mjediset e kampit të tyre stërvitor në Durrës. Shorti i ka vënë vajzat kuqezi në grupin B të Ligës B, së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin, dhe do të tentojnë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A.
Në prag të këtyre sfidave që do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, në Stadiumin “Elbasan Arena”, pasi UEFA i ka besuar sërish Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) një tjetër organizim ndeshjesh me nivel evropian, kanë folur për mediat dy lojtaret e ekipit Rea Maxhalaku dhe Arlinda Kodra. Maxhalaku, edhe pse nuk kjo nuk është hera e parë që vesh ngjyrat kuqezi, sërish ftesa nga Kombëtarja mbart emocione.
Ajo shprehet se skuadra ka si synim të fitojnë këto dy ndeshje dhe të marrin 6 pikët. “Sigurisht që ka emocion, sepse po vesh fanellën kuqezi, – thotë Rea. – Ky nuk është grumbullimi im i parë me Kombëtaren e Nën-17-vjeçareve. – Ftesa nga Kombëtarja? Normalisht që isha e lumtur, pasi pikësynimi i parë i një futbollisti është të veshë ngjyrat kuqezi dhe e kam pritur me padurim këtë ftesë nga Kombëtarja.” Ajo ka folur në vijim edhe për ndeshjet ndaj Malit të Zi dhe Azerbajxhanit.
“Pritshmëritë tona janë të marrim 6 pikët dhe të dalim me fitore, – ka thënë futbollistja e re kuqezi. – Malin e Zi e njohim si ekip, pasi jemi ndeshur edhe më parë kurse Azerbajxhani, është hera e parë. Kështu që do të përpiqemi të marrim ato 6 pikë dhe të fitojmë. Gjendja e skuadrës? Atmosfera është shumë e mirë, stafi drejtues na ka akomoduar siç duhet. Vajzat i shoh të lumtura, kanë pritshmëri për fitore dhe ndihemi shumë mirë.”
Në mbyllje ajo ka folur edhe për objektivat personale, duke thënë: “Në aspektin personal, si lojtare e Tiranës që jam tani, pres që të marrim kampionatin. Ëndrra ime më e madhe është që të vesh fanellën e Kombëtares së madhe të femrave dhe të përfaqësoj kombin tim”, – ka përfunduar futbollistisja e Kombëtares shqiptare të femrave për grupmoshën e Nën-17-vjeçareve, Rea Maxhalaku.