AlbanianSport.com 17/09/2021 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçareve në futboll për femra ka nisur që prej ditës së mërkurë grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kompleksin e saj stërvitor në Durrës, në prag të ndeshjeve eliminatore për Kampionatin Evropian 2021/2022.
Siç dihet, shorti i ka vënë vajzat kuqezi në grupin B të nivelit të dytë, Ligës B, së bashku me Malin e Zi dhe Azerbajxhanin dhe do të tentojnë kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen të gjitha në Shqipëri, pasi UEFA ka vendosur t’i besojë edhe njëherë tjetër FSHF-së organizimin e një niveli evropian.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi më 24 shtator 2021 në Stadiumi :Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 16:00, ndërsa 3 ditë më vonë, Azerbajxhani do të luajë kundër Malit të Zi, po në “Elbasan Arena”. Më 30 shtator 2021, do të luhet edhe ndeshja e fundit, mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Nga grumbullimi i ekipit në Durrës, trajneri i Kombëtares së Nën-17-vjeçareve, Agustin Kola, është shprehur se objektivi i skuadrës për këto dy ndeshje është të fitojnë, si dhe synimi kryesor i këtij ekipi është furnizimi i Kombëtares A me lojtare të reja.