AlbanianSport.com 15/09/2021 22:10
ASNN – Në prag të sfidës me Kosovën që do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00, dhe që është vlefshme për Eliminatore e Kampionatit Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”, kanë dalë ditën e mërkurë në një konferencë për mediat Luçije Gjini dhe Mimoza Hamidi. Edhe kjo e fundit, që luan në radhët e Bazelit në Zvicër shprehet se ekipi po mendon fillimisht vetëm ndeshjen kundër Kosovës, ndërsa shpreson të marrë rezultate pozitive në të dyja ndeshjet.
Ajo thekson se skuadra do të japë maksimumin në ndeshjet e grupit F. “Sa u përket dy ndeshjeve të shtatorit, fokusi kryesor është së pari Kosova, ta nisim me këmbë të mbarë ndaj Kosovës dhe sigurisht që do të përgatitemi për ndeshjen tjetër kundër Belgjikës, – ka theksuar sulmuesja kuqezi. – Gjendja e ekipit është shumë e mirë, kemi harmoni me njëra-tjetrën dhe po përgatitemi shumë mirë për këto dy ndeshje. Shpresojmë se do të kemi rezultate pozitive.”
23-vjeçarja e lindur në Preshevë ka folur edhe për nivelin e grupit ku shorti e ka vënë Shqipërinë, duke pohuar: “Dihet që këto ekipe janë shumë të forta, nuk është grup i lehtë, por do të japim maksimumin në këto ndeshje. Prandaj i ftoj të gjithë tifozët të vijnë të na përkrahin në “Elbasan Arena”, pasi janë motiv për ne”, – ka përfunduar futbollistja e Kombëtares së femrave, Mimoza Hamidi.