
ASNN – Shqipëria e femrave do të luajë ditën e enjte ndeshjen e parë ndaj Kosovës, të vlefshme për Eliminatore e Kampionatit Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”. Në prag të kësaj sfide që do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00, kanë dalë ditën e mërkurë në një konferencë për mediat Luçije Gjini dhe Mimoza Hamidi. Në fjalën e saj, Gjini ka theksuar se fokusi kryesor i ekipit është ndeshja e parë ndaj Kosovës, e më pas skuadra do të mendojë për vizitën e Belgjikës.
Pavarësisht grupit të vështirë ku është shortuar Shqipëria, mbrojtësja kuqezi u shpreh se skuadra do të japë maksimumin, teksa në fund ftoi të gjithë tifozët t’i mbështesin ditën e enjte në stadium.”Objektivi kryesor për këto dy ndeshje është ta nisim me këmbë të mbarë, – ka thënë 27-vjeçarja. – Fokusi kryesor është tek ndeshja me Kosovën, duke qenë se është edhe ndeshja e parë për këto Eliminatore. Mendoj se do bëjmë një paraqitje të mirë, ku objektiv është edhe të fitojmë ndeshjen dhe të marrim 3 pikët.”
Duke folur më pas për atmosferën në skuadër, futbollistja shkodrane theksoi: “Grupi është i mirë, harmonia në ekip vazhdon të jetë e mirë. Shumica e vajzave që jemi në skuadër njihemi, pasi kemi një kohë të gjatë që luajmë bashkë me njëra-tjetrën dhe ia njohim shumë mirë lojën njëra-tjetrës. Mendoj se do të bëjmë më të mirën, që të paraqitemi sa më mirë në këto Eliminatore. Duke parë edhe rritjen e fundit të Kombëtares tonë, mendoj se do paraqitemi sa më mirë, edhe pse dihet se grupi është shumë i vështirë, do të përballemi me ekipe të vështira.”
“Por nuk do jemi më një ekip që pretendojmë më vetëm të jemi në të njëjtin nivel, por do kemi arritje për t’u renditur sa më lart”, – ka shtuar mesfushorja kuqezi, e cila ka edhe një thirrje për tifozët e Kombëtares, teksa thotë: “U bëj thirrje tifozëve të vijnë të na mbështesin sepse ata janë një motiv plus për ne për të luajtur sa më mirë dhe për të arritur rezultate sa më të mira.
















