AlbanianSport.com 20/10/2021 19:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare e të rriturave në futboll për femrave është në ditën e 4-t të grumbullimit në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e radhës në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “Australi-Zelandë e Re”. Vajzat e grumbulluara nga trajneri Armir Grima vazhdojnë stërvitjen në Durrës, teksa të enjten do të përballen në sfidën e parë ndaj Armenisë në Stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës.
Situata në grup është mjaft optimiste dhe këtë e konfirmojnë edhe dy nga vajzat e kombëtares, Esmeralda Franja dhe Luçije Gjini, të cilët besojnë shumë te një rezultat pozitiv ndaj armeneve. Duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Franja thotë se Armenia është një kundërshtar i fortë, teksa beson se Shqipëria e femrave është në gjendje të marrë 3 pikët në këtë sfidë.
“Është gjithmonë kënaqësi e madhe të vish në grumbullim me Kombëtaren, – ka thënë ajo fillimisht. – Është një privilegj i madh që të grumbullohesh me Kombëtaren e vendit tënd. Gjendja e ekipit mendoj se është shumë e mirë, pasi vijmë nga fillimi i kampionatit shqiptar, mendoj se të gjitha vajzat janë me stërvitje dhe do të bëjmë një paraqitje sa më të mirë.”
“Ndeshjen e parë e kemi ndaj Armenisë, – ka vijuar futbollistja kuqezi. – Natyrisht që synimi ynë për këtë ndeshje është fitorja, pastaj me Poloninë, do të shohim. Është një ekip shumë i fortë, por natyrisht do të japim maksimumin për të marrë edhe aty fitoren. Objektivi është që të ngjitemi sa më lart, sepse Federata ka bërë gjithmonë investime të mëdha në futbollin e femrave dhe ne duhet t’ua shpërblejmë, të jemi sa më lart.”
“Besoj se ëndrra e të gjitha futbollisteve është që të kualifikohen në fazën finale të veprimtarive të mëdha, të tilla si Evropiani dhe Botëror. Kjo është ëndrra ime më e madhe me Kombëtaren. Shpresoj një ditë t’ia dalim!” – ka përfunduar futbollistja e Kombëtares kuqezi të vajzave, Esmeralda Franja.
Sfida e parë e Shqipërisë, ajo ndaj Armenisë do të luhet në shtëpi më 21 tetor 2021, në Stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 17:00. Ndeshja e dytë është në fushë të huaj ndaj Polonisë, më 26 tetor 2021, ora 19:45 në Stadiumin “Tiçi”. Shorti e ka vendosur Shqipërinë në Grupin F të Eliminatoreve të Botërorit 2023, së bashku me Poloninë, Kosovën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Armeninë.