AlbanianSport.com 21/02/2024 21:10
ASNN – Kombëtarja e femrave, Ezmiralda Franja: ““Visit Malta Trophy” turne mjaft i vlefshëm, synojmë fitoren në të dyja sfidat.” Kombëtarja shqiptare e vajzave do të zhvillojë të enjten ndeshjen e parë në turneun “Visit Malta Trophy” ndaj Bjellorusisë. Ky takim do të luhet në stadiumin “Toni Becina”, duke nisur nga ora 14:00. Prej ditës së hënë, Kombëtarja e vajzave ka nisur përgatitjet për turneun “Visit Malta Trophy” dhe nën urdhrat e trajnerit Armir Grima 18 futbollistet e grumbulluara janë stërvitur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe janë të gatshme për ndeshjen e së enjtes ndaj Bjellorusisë.
Mesfushorja kuqezi, Ezmiralda Franja, në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e konsideron mjaft të vlefshëm turneun “Visit Malta Trophy”. Përsa u përket kundërshtareve, futbollistja e Vllaznisë tha se me Bjellorusinë janë përballur edhe herë tjetër dhe e njohin si ekip, megjithatë synimi është vetëm fitorja në të dyja takimet. “Mendoj që ky turne është mjaft i vlefshëm, – ka deklaruar ajo para nisjes për në Maltë. – Do të zhvillojmë dy ndeshje miqësore, kundër Bjellorusisë dhe Ishujve Faroe. Natyrisht këto dy ndeshje do të na shërbejnë shumë që trajneri të shohë grupin, gjendjen dhe pse jo ndonjë lojtare të re.”
“Me Bjellorusinë kemi luajtur njëherë për Eliminatoret e Evropianit, – ka vijuar Franja. – Nuk kanë ekip të dobët, janë mirë si ekip, por ne synojmë fitoren në të dyja sfidat.” Më tej, mesfushorja kuqezi dha edhe një koment për elementët e rinj në skuadër dhe shtoi se ekipi kombëtar ka nevojë për talente të reja. “Ndihem shumë mirë, – ka thënë ajo. -Kam shumë vite që jam pjesë e Kombëtares. Natyrisht ekipi kombëtar ka nevojë për talente dhe lojtare të reja që t’i sjellin freski ekipit dhe shpresoj që ato të japin më të mirën, të paraqiten mirë dhe të kenë vazhdimësi me Kombëtaren”, – përfundoi Ezmiralda Franja.
Në turneun “Visit Malta Trophy”, Shqipëria e futbollit të femrave do të zhvillojë dy ndeshje, atë ndaj Bjellorusisë më 22 shkurt, dhe atë ndaj Ishujve Faroe, më 25 shkurt 2024. Të dyja takimet do të luhen në Stadiumin “Toni Becina”, duke nisur nga ora 14:00.