AlbanianSport.com 19/10/2021 19:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur përgatitjet intensivisht për dy ndeshjet e radhës në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”. Vajzat kuqezi, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, kanë nisur grumbullimin në kampin e tyre stërvitor në Durrës, ku po përgatiten për dy sfidat e rëndësishme. Në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Fubollit (FSHF), kapitenia e Kombëtares, Megi Doçi ka deklaruar se fokusi kryesor është ndeshja me Armeninë, ku synohet vetëm fitorja për t’u përmirësuar në renditjen e grupit.
Doçi thekson se Shqipëria e femrave prodhon futboll të bukur dhe është gati t’u tregojë të gjithëve se çfarë mund të bëjë. “Duke ditur që përpara kemi dy ndeshje të rëndësishme përpara mendoj e grupi është në gjendje të mirë stërvitore, vajzat janë në formë gati për të dhënë maksimumin e për të bërë më të mirën në fushe, – ka thënë ajo fillimisht. – Objektivi ynë është që të bëjmë dy ndeshje mjaft të mira, sigurisht fokusi kryesor është ndeshja e parë me Armeninë dhe do të hyjmë në fushën e lojës për të dhënë gjithçka e për të marrë fitoren. Janë dy ekipe ndaj të cilave ne mund të bëjmë lojën tonë.”
“Duhet t’u tregojmë që ne dimë të luajmë futboll të bukur e që nuk kemi ardhur rastësisht e që mund ta fitojmë ndeshjen”, – theksoi futbollistja e Vllaznisë, duke shtuar më tej: “Mendoj se ne mund të jemi ekipi surprizë në grup pavarsisht se nuk e kemi nisur mirë, duhet të kishim fituar në premierën me Kosovën. Prandaj futbolli është i bukur, sepse ka surpriza, por kemi ende shumë ndeshje përpara dhe duhet të tregojmë se dimë të bëjmë futboll të bukur dhe besoj që mund të bëjmë surpriza. Në radhë të parë është emocion të luash me ekipin kombëtar, është krenari e madhe.”
“Por më e rëndësishme është që të jap gjithçka për fanellën e Kombëtares dhe ta përfaqësoj sa më denjësisht e për të shënuar sa më shumë gola”, – përfundoi futbollistja e talentuar e Kombëtares shqiptare të futbollit të femrave. Sfida e parë e Shqipërisë ndaj Armenisë do të luhet në shtëpi më 21 tetor në Stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 17:00. Ndeshja e dytë është në fushë të huaj ndaj Polonisë, më 26 tetor, ora 19:45 në Stadiumin “Tiçi”. Deri më tani Kombëtarja e femrave ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, pasi u mund thellë, 0-7 nga Belgjika në fushën e kësaj të fundit dhe barazoi 1-1 me Kosovën në shtëpi.
Shorti e ka vendosur Shqipërinë e topkëmbës së vajzave në Grupin F të Eliminatoreve të këtij Botërori, së bashku me Poloninë, Kosovën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Armeninë.