AlbanianSport.com 22/04/2020 23:55
ASNN – Dy javë më parë, organizmi që qeveris futbollin në vend, Federata Shqiptare e Futbollit, pati bërë një gjest simbolik mjaft domethënës. Më 7 prill, në “Ditën Botërore të Shëndetit”, fanellat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e Arenës Kombëtare me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË! Nëpërmjet një njoftimi, FSHF pati shpallur simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore.
Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanelë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do t’u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë. “Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin!”, – thuhej ndër të tjera në njoftimin e FSHF-së.
“Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë së bashku do ta fitojmë këtë “ndeshje!” – përfundonte njoftimi, që shoqërohej edhe me një video interesante. Dhe të enjten Federata e ka bërë realitet këtë nismë, teksa Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, ka zhvilluar një takim me Dr. Piperon dhe Harxhin, duke i falënderuar ata për sakrificën. “Federata Shqiptare e Futbollit vlerëson maksimalisht Kombëtaren tonë, mjekët, infermierët, sanitarët dhe shoferët e ambulancave të spitaleve “Covid-1” dhe “Covid-2”, që në këtë kohë të pazakonshme po përballen me virusin vdekjeprurës Covid-19”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë të enjten nga organizmi që qeveris futbollin në vend.
“Për të gjithë “lojtarët tanë”, FSHF vendosi të dhurojë në shenjë vlerësimi dhe mbështetjeje nga një fanellë dhe një top për fëmijët e tyre që të kalojnë me aktivitet sportiv këtë kohë të vështirë, – vijon njoftimi. – Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, zhvilloi ditën e sotme një takim me Doktorët Pëllumb Pipero dhe Arjan Harxhi, duke u shprehur të gjithë vlerësimin e komunitetit të futbollit për guximin dhe punën e madhe që janë duke bërë këto javë në këtë “ndeshje” të vështirë.”
“Nga ana e tyre, Dr. Pipero dhe Dr. Harxhi e falënderuan Federatën e Futbollit për dhuratat e bëra dhe mesazhin e dhënë me shpalljen e punonjësve të shëndetësisë “Kombëtarja jonë””, – përfundon njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, që shoqërohet edhe me një video, të cilën ju ftojmë ta ndiqni duke klikuar më poshtë.