AlbanianSport.com 23/07/2022 17:10
ASNN – Pas një sezoni të suksesshëm me kampionatet kombëtare të futbollit amator, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka nisur organizimin për një edicion të ri, që pritet të ketë shumë risi në aspektin e pjesëmarrjes dhe cilësisë që do të ofrojnë veprimtaritë e futbolli amator. Shefi i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, duke analizuar ecurinë e kampionateve të futbollit amator ka shpjeguar për të gjithë të interesuarit edhe kriteret që duhet të plotësojnë për të marrë pjesë në kampionatet e futbollit amator të organizuar nga FSHF, duke nisur nga kampionatit 9×9.
Demneri bën me dije se regjistrimet do të nisin më 25 korrik, teksa konfirmon se interesi për të marrë pjesë në këtë veprimtari po vjen gjithnjë e më shumë në rritje. “Jemi në prag të fillimit të sezonit të ri të futbollit amator, ku këtë vit kemi disa kompeticione dhe shumë risi, – thotë ai. – Veprimtaria e parë për nga rëndësia do të jetë kampionati i futbollit 9×9, thënë ndryshe “FSHF Sunday League Albania” me regjistrimet që hapen më datën 25 korrik, ditën e hënë, ku do të marrin pjesë në total një numër prej 32 ekipesh. Për të marrë pjesë në kampionatin “FSHF Sunday League Albania” mjafton të kesh dëshirën për të luajtur futboll.”
“Por edhe të mos jesh një lojtar profesionist, por të jesh futbollist amator, – ka vijuar Demneri. – Lejohen deri në 25 lojtarë për një skuadër dhe skuadrat duhet të jenë gjithmonë amatore, të kenë trajnerin e vet dhe të gjitha kushtet e tjera mundësohen nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ne u japim mundësinë e fushës, gjyqtarë profesionistë, delegatët, mjekët sportivë, pra çdo detaj organizohet nga FSHF-ja në mënyrë që të gjithë futbollistët e përfshirë në këtë veprimtari të kenë mundësi të argëtohen duke luajtur futboll.” Zyrtari i FSHF-së ka zbuluar edhe risinë kryesor të këtij edicioni, që është zhvillimi i një kampionati kombëtar amator 11×11.
“Vitin e kaluar në patëm edhe edicionin e parë të FSHF Sunday League Albania 11×11, që u realizua në Korçë, ku pati impakt dhe sukses të madh. Patëm 18 skuadra, që të gjitha nga qyteti i Korçës, ndërkohë që duke parë këtë shembull janë rritur shumë kërkesat nga qytetet e tjera për këtë veprimtari. Sivjet është menduar që të krijohet një kampionat kombëtar në formatin 11×11, që do të luhet në të gjithë Shqipërinë dhe do të ketë ekipe të nivelit amator. Se si do të jetë forma e lojës, mënyra e organizimit ne patjetër do t’i bëjmë të diutra në periudhën në vazhdim, por është e sigurt që do të kemi një kampionat kombëtar 11×11”, – përfundoi Shefi i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri.