AlbanianSport.com 10/09/2021 18:55
ASNN – Firmoset marrëveshja, Kategoria Superiore do të quhet “Abissnet Superiore” për 3 sezonet e ardhshme. Për herë të parë në kampionatin shqiptar, Kategoria Superiore do të ketë një sponsor. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i kompanisë “Abissnet”, Koço Kokëdhima, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore si dhe përfaqësues nga media. Ankandi i fituar nga kompania e drejtuar nga Koço Kokdhima, që njëkohësisht është dhe presidenti i Klubit të Futbollit “Apolonia”, tanimë në Kategorinë e Parë, ishte në vlerën e 54 milionë lekëve.
Në fjalën e tij, Kokëdhima u shpreh se e morën këtë vendim për t’u futur në ankand për të blerë emrin e Kategorisë Superiore, pasi kompania ka vlerësuar punën e vazhdueshme të klubeve të futbollit dhe rritjen e këtij kampionati. “Falënderoj Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për të gjithë kontributin e tij në zhvillimin e futbollit shqiptar në përgjithësi dhe për zhvillimin e futbollit të Kategorisë Superiore në veçanti, – ka thënë biznesmeni i njohur. – Ky zhvillim ka bërë që të perceptohet në mënyrë të qartë një vlerë tregu për emrin e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.”
““Abissnet” ka konstatuar dhe ka vlerësuar se emri dhe niveli i futbollit të Kategorisë Superiore në Shqipëri është rritur falë përpjekjeve shumë të mëdha dhe kontributit të posaçëm të presidentëve të këtij kampionati, nën drejtimin dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, – ka vijuar ai. – Sot kemi një veprimtari ku promovohen shumë lojtarë shqiptarë në nivele të larta të futbollit, ku u mundësohen përfitime të rëndësishme. Puna e vazhdueshme e klubeve të Kategorisë Superiore dhe e FSHF-së e ka bërë këtë kampionat tashmë tërësisht të pastër, të besueshëm dhe për këtë shkak ne kemi vendosur të bëjmë këtë bashkëpunim.”
“Pra, të përdorim emrin e kompanisë sonë, “Abissnet” në këtë veprimtari, duke i dhënë emrin që do të mbajë për 3 vite, “Abissnet Superiore”, – ka theksuar Kokëdhima. – Ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të shkojnë në stadiume dhe të ndihmojnë klubet e tyre, pasi nuk janë fitimprurëse. Ashtu sikurse ftoj edhe të gjitha kompanitë e Shqipërisë që kanë mundësi dhe vetëdije të lartë publike, të bëhen donatorë dhe sponsorë të klubeve të Kategorisë Superiore në veçanti dhe futbollit në përgjithësi, për t’i dhënë një mbështetje më të madhe futbollit të Shqipërisë.” “Abissnet Superiore” do të nisë rrugëtimin e saj që sot, me ndeshjen e parë hapëse, Teuta-Partizani, që do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”.