AlbanianSport.com 03/11/2021 16:40
ASNN – Me rastin e përurimit të 3 fushave të Kompleksit “Skënder Halili”, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, në fjalën e tij për të gjithë të pranishmit theksoi edhe një herë se prioriteti i FSHF-së është futbolli i fëmijëve, teksa u ndal të falënderonte edhe klubin e Tiranës për bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithashtu, presidenti Duka foli edhe për projektin e “100 fushave” si dhe u shpreh se Federata e Futbollit do të jetë gjithmonë në mbështetje të klubeve si dhe akademive.
“Ndihem vërtetë mirë që jam këtu sot me një lloj infrastrukture të ndryshuar, të rinovuar me 3 fusha të reja me tapet artificial, që në fakt është baza e zhvillimit të futbollit, – ka thënë ai fillimisht. – Nëse nuk kemi një infrastrukturë të mirë dhe nëse nuk kemi trajnerë të mirë, e kemi të vështirë që të kemi shumë fëmijë dhe që të na bashkohen sa më shumë djem e vajza në lojën tonë, për të luajtur sport, për të qenë të shëndetshëm, për t’u edukuar më mirë. Kjo është përparësia kryesore e Federatës së Futbollit, futbolli i fëmijëve, zhvillimi i sa më shumë i akademive.”
“Dhe pikërisht për këtë bashkëpunim me klubin Tirana, që dua të falënderoj Presidentin Halili dhe të gjithë administratën për një administrim të shkëlqyer me administratën e Federatës së Futbollit në rikonstruksionin e këtyre 3 fushave me bar artificial dhe në projektin për të rinovuar edhe tjetrin me bar natyral për ekipin e parë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend. – Në fakt ka shumë nevojë, sepse Tirana është një qytet me 1 milion banorë dhe për të bërë aq fusha sa fëmijë të Tiranës dëshirojnë të luajnë futboll, duhen shumë më shumë se kaq.”
Presidenti Duka e ka vënë theksin te projekti i 100 fushave, duke ftuar të gjithë ata që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e zhvillimit të infrastrukturës sportive. “Ky është fillimi, ne kemi një projekt të shpallur për futbollin e fëmijëve, për futbollin amator, për të ndërtuar 100 fusha me bar natyral, që ka filluar, – ka thënë ai. – Ftojmë sa më shumë bashkëpunëtorë, biznese private, pushtetin vendor që të na gjejnë sipërfaqe të lira, përveç këtyre të kufizuara që kemi hëpërhë. Të gjejmë sipërfaqe të lira apo të blejmë toka të lira për të ndërtuar aq fusha sa vërtet u takojnë fëmijëve të Tiranës.”
“Shqipëria është një vend që e dashuron shumë futbollin dhe nga një sondazh që kemi bërë ne, fatmirësisht për futbollin dhe fatkeqësisht për sportet e tjera, 90% e shqiptarëve që merren me sport, luajnë futboll, – ka vijuar Duka. – Jo të gjithë luajnë futboll të organizuar, por edhe futboll amator. Nëse nuk punojmë për fëmijët, nëse nuk afrojmë sa më shumë fëmijë, nëse nuk kujdesemi sa më shumë për ta, atëherë nuk do të kemi moshat e tjera. Kur themi fëmijë, themi vajza dhe djem, pa bërë dallime, madje pak më shumë për vajzat”, – ka përfunduar Presidenti i FSHF-së.