AlbanianSport.com 26.10.2016 14:20
ASNN – Më 12 nëntor, Shqipëria përballet me Izraelin dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë garanci se fusha e Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës do të jetë në kushte optimale. Ndërkohë që ka nisur edhe shitja e biletave për këtë ndeshje, përgjegjësi i infrastrukturës sportive në FSHF, Arben Dervishaj, ka theksuar se organizmi që qeveris futbollin në vend është e hapur për bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës sa i përket administrimit të Stadiumit.
Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës do të jetë plotësisht gati dhe në kushte optimale për ndeshjen e 12 nëntorit midis Shqipërisë dhe Izraelit. Kjo është garancia që ka dhënë përgjegjësi i infrastrukturës sportive në Federatën Shqiptar të Futbollit, Arben Dervishaj. Duke theksuar se FSHF-ja është e hapur për bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës sa i përket administrimit të Stadiumit, Dervishaj ka shpjeguar edhe formulën e tij.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se ka nisur shitja e biletave për ndeshjen e Kombëtares kuqezi me Izraelin. Ato mund të blihen në dy pika, në Tiranë, në dyqanin zyrtar të FSHF-së në Rrugën e Elbasanit dhe, në Shkodër, pranë Stadiumit “Loro Boriçi”. Çmimet e biletave sipas tribunave janë: në tribunat C2 , C3, C4 dhe E2, E3, E4, 1, 000 lekë, në tribunat C1, C5 dhe E1, E5, 1,500 lekë, në tribunat D1 dhe D4, 2,000 lekë, D2 dhe D3, 3,000 lekë, në tribunat A dhe B, 8.000 lekë dhe në tribunën VIP, 18.000 lekë.