AlbanianSport.com 16/02/2019 15:00
ASNN – Atleti i ri shkodran e zbret kohën nga 48 sekonda e 22 të qindtat, në 47 sekonda e 64 të qindtat. Më pak se një muaj nga thyerja e rekordit 22-vjeçar, atleti i ri, Franko Burraj, ka bërë një tjetër paraqitje të mirë, duke spikatur në garën e 400 metrave në salla të mbyllura, gjatë Kampionatit Ballkanik të Atletikës, që u mbajt të shtunën në Stamboll.
Vetëm pak javë më parë, në fund të dhjetëditëshit të dytë të janarit, shkodrani pati spikatur në një turne mesdhetar të Nën-23-vjeçarëve të zhvilluar në Francë. 21-vjeçari, i cili stërvitet nga trajneri Bruno Rrotani, pati thyer dy herë rekordin kombëtar të disiplinës së 400 metrave për të rritur në salla të mbyllura, që mbahej nga Sokol Shepeteja, ish-atleti i Studentit që e pati vendosur atë në Athinë më 22 shkurt të 1997-ës, në moshën 27-vjeçare.
Rekordi i ri i Burrajt 48 sekonda e 22 të qindtat, çka përfaqësonte një përmirësim të rekordit kombëtar me 65 të qindtat. Ndërkaq, të shtunën, Burraj ka qenë i pari në baterinë B të 400 metrave, duke regjistruar kohën 47 sekonda e 64 të qindtat, duke e përmirësuar kohën e rekordit të tij kombëtar me 58 të qindtat, ndërsa me këtë paraqitje, ai ka siguruar edhe medaljen e bronztë të kësaj disipline në Kampionatin Ballkanik.