AlbanianSport.com 31/08/2019 20:00
ASNN – Francezi Antuan Huber nuk u mbijeton plagëve të marra në aksidentin e frikshëm në Spa. Bota e automobilizmit është tronditur të shtunën nga një tjetër aksident me pasojë vdekje. Federata Botërore e Automobilizmit (FIA) ka konfirmuar zyrtarisht se piloti francez, Antoin Huber, ka humbur jetën pas një përplasjeje me shpejtësi të madh në xhiron e dytë të Formulës 2 të Çmimit të Madh të Belgjikës. 22-vjeçari ka goditur murin rrethues të pistës së Spasë, duke vijuar më pas të goditet edhe nga makina e pilotit tjetër, Huan Manuel Korrea, por edhe nga makina të tjera.
Gara u ndërpre menjëherë, teksa komisarët e garës shkuan në vendin e aksidentit. Makina e Korreas u përmbys, ndërsa ajo e Huberit u shkatërrua plotësisht. “Me keqardhje, FIA ju informon se piloti i makinës nr. 19, Antuan Huber nga Franca, nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë në ora 18:35”, – shkruhej në komunikatën për shtyp të organizmit që qeveris automobilizmin botëror, e cila, me tej, vijonte: “Piloti i makinës nr. 12, Huan-Manuel Korrea nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është në gjendje të qëndrueshme dhe po mjekohet në Spitalin “CHU” të Liezhit.”
“Piloti i makinës nr. 20, Xhuliano Alesi nga Franca është kontrolluar dhe është vlerësuar në gjendje të mirë nga qendra shëndetësore në fjalë”, – ka përfunduar FIA, e cila bërë të ditur se ka nisur një hetim për këtë aksident. Huberi, një 22-vjeçar nga Lioni, ishte një pilot i zhvillimit për “Renault” dhe kishte fituar dy gara në këtë sezon si debutues në F2 season, një në Monako dhe një në Francë dhe mbante vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme të pilotëve.