AlbanianSport.com 04/05/2020 22:25
ASNN – Sporti është një promovues mjaft i mirë i turizmit dhe këtu nuk bën përjashtim as një “industri e rëndë”, si Formula 1. Dhe janë dy pilotët e “Red Bull”-it, Maks Verstapen dhe Aleks Albon, ata që gjetën një mënyrë origjinale për të kujtuar se pikërisht të dielën duhej të mbahej Çmimi i Madh i Holandës. Në fakt, duhej të ishte festë, një fundjavë e pritur që prej 35 vjetësh.
Formula 1 do të kthehej në Holandë pas një mungese tepër të gjatë, por epidemia botërore e virusit “Covid 19” bëri që kjo të mos ndodhte. Dy pilotët bënë një garë dhe një udhëtim nëpër rrugët e shtetit të Vendeve të Ulëta, përfshi edhe duke kaluar pranë mullinjve të famshëm të erës, fushave me tulipanë pranë Roterdamit, por edhe plazheve të Hagës.
Dy pilotët e skuadrës austriake u nisën nga porti i Roterdamit, njëri nga më të mëdhenjtë e botës, për të vazhduar itinerarin në vendin fushor të Evropës Perëndimore, të njohur si një nga më të zhvilluarit e më të lulëzuarit prej shumë shekujve. Rrugëtimi përfundoi në pistën e Zandvortit në veri të vendit. Çmimi i Madh i Holandës është mbajtur aty që nga viti 1948 dhe deri në 1985 dhe tashmë do të rikthehet, por besohet vitin e ardhshëm.
Shijojeni pa koment videon e mëposhtme që ofron rrugëtimin e dy pilotëve nëpër Holandë: