AlbanianSport.com 14/02/2020 21:05
ASNN – Skuadra gjermane dhe ajo italiane publikojnë vetëm fotot e modeleve “W11” dhe “C39”. Teksa “Ferrari” e ka prezantuar makinën me një ceremoni ekstravagante, kurse “McLaren”-i e bëri më modeste të enjten, disa skuadra të tjera kanë zgjedhur të japin vetëm një ide të përgjithshme, duke publikuar fillimisht vetëm foto. Kështu ka bërë të premten kampionia e dyfishtë e botës, si për pilotë, ashtu edhe për konstruktorë, “Mercedes”-i, por edhe skuadra e “Alfa Romeo”-s.
Sezoni i ri i Formulës 1 është vetëm disa javë larg dhe skuadrat kanë filluar tanimë të prezantojnë edhe makinat me të cilat ato do të konkurrojnë në këtë Botëror. E pasi “Ferrari” e ka prezantuar makinën me një ceremoni ekstravagante, kurse “McLaren”-i e bëri më modeste të enjten, disa skuadra të tjera kanë zgjedhur të japin fillimisht vetëm një ide të përgjithshme, duke publikuar fillimisht vetëm foto. Kështu ka bërë të premten kampionia e dyfishtë e botës, si për pilotë, ashtu edhe për konstruktorë, “Mercedes”-i.
Teksa kishte prezantuar pak ditë më parë një model paraprak, që i shton të kuqen e njërit prej sponsorëve grisë tradicionale të ndërthurur me të gjelbrën, tanimë skuadra gjermane ka publikuar 3 foto të asaj që do të jetë makina për t’u mundur në sezonin e ri të Formulës 1, të mbiquajtur “W11”. Siç dihet, “Mercedes”-i nuk do të ketë ndryshim në ekuipazh, duke i besuar kampionit të botës, Ljuis Hemilton dhe nënkampionit Valteri Botas edhe për 2020-ë.
Ndërkaq, shembullin e skuadrës gjermane e ka ndjekur të premten e Shën Valentinit edhe skuadra italiane e “Alfa Romeo”-s, e cila ka publikuar fotot e makinës së re, të mbiquajtur “C39”, dhe që spikat veçanërisht për sipërfaqen që e ka të mbuluar me stilizimin e lëkurës së gjarpërit. Prezantimi zyrtar i makinës, që do të drejtohet nga pilotët Kimi Raikonen dhe Antonio Xhovinaci, do të bëhet më 19 shkurt 2020 në Barcelonë.