AlbanianSport.com 01/04/2019 19:25
ASNN – Lëklërku “tradhëtohet” nga “Ferrari”, megjithatë, ai duket se është e ardhmja e skuadrës së Maranelos. Festa për një nisje të garës, në Bahrein, që në vijën e parë të saj me dy makina të kuqe, ka zgjatur pak. Ajo që mendohej një e diel e mirë, me një podium të dominuar nga “Ferrari”, është transformuar në një makth për ta me kalimin e kilometrave.
Feteli është vetëpërjashtuar nga lufta me atë frenim të rreptë e më pas iu shkatërrua pjesa e përparme e makinës. Sharl Lëklërku ka dominuar me klasin e një kampioni ekspert, por përralla e bukur ka patur një fund të trishtë, shkak mosfunksionimi si duhet baterisë dhe dinamos së makinës së kuqe. Shkaqe këto që sollën fitoren e Hemiltonit dhe Botasit.
Pas kësaj “Ferrari” duket se mbart një sërë problemesh. I pari është faktori njerëzor. Feteli është vënë sërish nën presion, ndërsa “kampioni” i vërtetë në skuadrën e kuqe është djaloshi nga Montekarlo. Më i rëndë për zgjidhur duket se është në aspektin teknik, me një makinë të brishtë e cila ia ndaloi Lëklërkun të merrte një fitore të supermerituar.
Si përfundim, në Bahrein, “Ferrari” ka humbur një mundësi të mirë për të rregulluar llogaritë me “Mercedesin, pas zhgënjimit në garën e parë në Melbërn. Megjithatë me atë fillim të mirë të garës që ka ofruar Lëklërk, duket se në Maranelo, ai është ivetmi që përcjell optimizëm.