AlbanianSport.com 10/10/2021 18:40
ASNN – Është zhvilluar të dielën Turqi gara e 16-të e Kampionatit Botëror të Formulës 1 dhe Valteri Botas ka triumfuar në pistën e Stambollit. Finlandezi i “Mercedes”-it, i cili e nisi garën nga vendi i parë dhe e mbylli po ashtu, ka lënë prapa “Red Bull”-in e Maks Verstapenit dhe Serxhio Perezit. Vendi i 4-t për “Ferrari”n e Sharl Lëklekut, me pilotin nga Monako që madje flirtoi me suksesin, ndërsa Ljuis Hemilton nuk shkoi dot më larg se vendi i 5-të.
Supergarë, nga vendi i fundit në vendin e 8-të, për “Ferrari”-n tjetër të Karlos Sainzit. fitorja e parë e sezonit dhe podiumi i 9-të i përgjithshëm për Botasin, i cili kthehet në hapin e parë më shumë se një vit pas herës së fundit: “Ishte ndoshta një nga garat e mia më të mira në karrierë, humba ca kohë në disa raste por unë isha ende nën kontroll gjatë gjithë garës, – ka deklaruar ai pas fitores. Makina ishte në gjendje të shkëlqyer këtë fundjavë.”
“Nuk ishte e lehtë të zgjidhej strategjinë e duhur me këto kushte të ndryshueshme”, – ka shtuar finlandezi. “Kënaqësi e madhe edhe për Maks Verstapenin, i cili me vendin e tij të dytë dhe vendin e 5-të të Hemiltonit rikthehet si kryesues i renditjes së përgjithshme të pilotëve. “Nuk ishte e lehtë, pista ishte shumë e rrëshqitshme dhe ne duhej të administronim gomat, pa qenë kurrë në gjendje të shtyjmë”, – ka thënë piloti holandez i skuadrës austriake.
“Botasi ia doli, por në këto kushte, në të cilat është e lehtë të bësh gabime, jam i kënaqur me këtë vend të dytë, – ka vijuar ai. – Ne kurrë nuk mund të shtynim, mund të bënim vetëm një numër të caktuar xhirosh dhe më pas të ndryshonim gomat, ishte një garë në të cilën u përpoqa. Beteja në këtë Botëror ka qenë e luftuar gjatë gjithë vitit, jam i sigurt se do të jetë një betejë e madhe edhe në Ostin dhe ne duhet të përpiqemi të përmirësohemi. Është një sezon vërtet i mirë.”