AlbanianSport.com 21/10/2018 17:55
ASNN – Edhe pse prej shumë kohësh punoi me të duke e patur njeriun më të besuar, Ilir Daja ngurron t’i urojë Ardian Memës punë të mbarë tek Tirana, pasi Flamurtari i tij do të presë bardheblutë në ndeshjen e fundit të fazës së parë.
“Do të jetë ndeshje e luftuar në mesfushë. Kush do jetë më mirë mentalisht do jetë më pranë fitores, – tha Ilir Daja. – Memës do t’i uroj suksese në detyrën e tij si trajner i Tiranës, por pas ndeshjes së të hënës.”
Edhe trajneri i Tiranës, Mema mendon se faktori psikologjik do të jetë vendimtar. “Fakti që kam qenë atje është pozitive për mua, pasi e njoh kundërshtarin”, – ka thënë ai duke folur për mediat një ditë para ndeshjes.
“Sidoqoftë, çdo kundërshtar duhet të vlerësohet maksimalisht, sepse në të kundërt do kemi problemet që ka pasur Tirana, – ka thënë Mema. E kam folur edhe me lojtarët, duhet të jemi të përqendruar.”
“Këto janë kundërshtarët. Ka shumë pak diferenca dhe përqendrimi të bën ta fitosh ndeshjen”, – ka përfunduar ish-futbollisti bardheblu, që rikthehet pasi ka shitur në Korçë e në Vlorë si ndihmës i Dajës.