AlbanianSport.com 17.02.2017 12:55
ASNN – Flamurtari ka prezantuar sot trajnerin e ri për pjesën e mbetur dhe ai është kryeqytetasi Shpëtim Duro. Duke folur gjatë prezantimit të tij, Duro e pranoi se e merr këtë skuadër në një moment të vështirë. Kështu pra, eliminimi në Kupën e Shqipërisë, por edhe një sezon me luhatje kanë çuar në largimin e trajnerit të Flamurtarit, Gentian Mezani dhe ai është zëvendësuar nga Shpëtim Duro.
Gjatë prezantimit në klubin vlonjat, 57-vjeçari kryeqytetas ka pohuar se është i ndërgjegjshëm për detyrën që e pret. “Është një moment aspak i mirë dhe shumë i vështirë, – ka pohuar ai. – Por lufta deri në fund do të jetë e egër, pasi për rënien nga Kategoria Superiore në luftë janë 4-5 skuadra. Nuk jam këtu për të bërë reformë apo për të ndryshuar stafin, për të cilin ende nuk kemi vendosur.”
“Do të më pëlqente që punn time ta nisja në fillim të sezonit, por kjo është puna e trajnerit, – ka theksuar ish-trajneri i Partizanit dhe Skënderbeut. – Në rrezik, trajneri mbetet gjithmonë i tillë. Keni një bashkëpunim, deri pas këtij sezoni edhe për vitin e ardhshëm,por gjithcka varet nga puna dhe rezultatet. Kam strategjinë timë të punës dhe nuk dua të mendoj se një ekip si Flamurtari pëson shumë.
“Ndaj këtu duhet të nisë ndryshimi, – ka thënë Duro. – Flamurtari është një emër i madh dhe gjithmonë kam dashur ta drejtoj.” Ndërkohë, ish-trajneri Gentian Mezani, që tashmë largohet nga drejtimi i skuadrës, por mbetet sidoqoftë pjesë e strukturave të klubit. “Dua ta falenderoj ish-trajnerin Mezani për punën e kryer deri më tani nën drejtimin e Flamurtarit, në momentet e mira dhe të këqija të klubit”, – ka thënë administratori Sinan Idrizi.
“I uroj suksese Duros në drejtimin e skuadrës, edhe pse i kërkoj ndjesë për kohën e vonuar, pasi duhej të ishte më shpejt tek Flamurtari”, – ka shtuar ai. Shpëtim Duro do të nisë aventurën e tij në stolin e Flamurtarit me ndeshjen ndaj Teutës që do të luhet të dielën. Duro i rikthehet rolit të trajnerit të një klubi pas më shumë se një viti pushim. Herën e fundit, ai drejtoi stolin e Shkëndijës së Tetovës.