AlbanianSport.com 25/04/2019 23:00
ASNN – Gjigandja e futbollit gjerman, Bajernit i Mynihut, sfidohet nga Lajpcigu “rishtar”. Kupa e Gjermanisë ka mbyllur në mesjavë gjysmëfinalet e saj, duke vënë përballë njëra-tjetrës Bajernin e Mynihut dhe Lajpcigun. Kjo do të jetë një përballje skajesh, pasi Lajpcigu, që ka siguruar të martën për herë të parë vendin në finale, do të sfidojë bavarezët 18-herë fituese e këtij trofeu. Kështu, do të jetë një finale tipike “Davidi kundër Goliathit” ajo e këtij edicionit të Kupës së Gjermanisë.
Kjo pasi Lajpcigu, që ka siguruar të martën për herë të parë vendin në finale, do të sfidojë Bajernin e Mynihut, 18-herë fituese e këtij trofeu, një rekord më vete ky. Ndërkohë, kjo do të jetë finalja e 23-të për bavarezët, të cilët kanë dështuar në 4 finale në misionin për të bërë të tyren trofeun e dytë të futbollit gjerman. Nga njëra anë është Lajpcigu, një skuadër që, me muskuj të fuqishëm financiarë, i ka ngjitur një nga një shkallët e kampionatit gjerman të futbollit.
Duke mbërritur në Bundesligën e parë në sezonin 2016-2017 dhe duke siguruar menjëherë vendin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, pasi u shpall nënkampione. Lajpcigu u rendit e 3-ta në grup në atë sezon të Ligës së Kampioneve, ndërsa një sezon më pas shkoi deri në çerekfinale të Ligës së Evropës, kurse sezonin e shkuar e mbylli në grup pjesëmarrjen e dytë në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinenteve.
Ndërsa në Kupën e Gjermanisë, kjo skuadër nuk kishte shkuar më larg se turi e 16-shes, por, pasi fitores të martën në gjysmëfinalen e parë ndaj Hamburgut, tanimë ka shansin për trofe. Por përballë do të ketë Bajernin e Mynihut, rekordmenen e futbollit gjerman që nuk ka shumë nevojë për komente, me 28 tituj “kampion” të fituar, me 18 kupa të Gjermanisë, me 7 Superkupa dhe 6 Kupa të Ligës Gjermane, por edhe me 5 tituj të kampiones së kontinentit, si dhe nga një trofe të Kupës UEFA, Kupës së Kupave dhe Superkupës së Evropës.
Tanimë fjalën e ka finalja e 25 majit 2019, e cila, sikundër i gjithë ky sezon i Kupës së Gjermanisë, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.