Gjergj Vyshka 12.06.2017 17:55
Fundi i setit të katërt dhe salla e re olimpike ka shpërthyer në festë. Një valle Kukësi për të gjitha lojtarët e kombëtares së Shqipërisë, të cilat kapur dorëpërdore e të udhëhequra nga më e spikatura Erblira Bici, kanë festuar këtë fitore të madhe ndaj Bjellorusisë.
Në festë edhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Por kombëtarja e femrave nuk ka mbetur pa u përshëndetur dhe nga Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.
Festa është edhe e tifozëve, ndërsa Bici është në qendër të vëmendjes së fotografive me sportdashës të të gjitha moshave që nga fëmijët e deri tek të rriturit. Festa e ligjshme, por bukuria do të jetë nëse vajzat kuqezi do të arrijnë që ta mbajmë këtë vend të dytë dhe në Bjellorusi për të qenë më pas pjesë e finaleve të Ligës së Evropës.
Megjithatë, dy fitore bindëse, ndaj Austrisë dhe Bjellorusisë, të dyja me të njëjtin rezultat 3-1 e bëjnë Shqipërinë e trajnerëve Altin Martiri dhe Roland Tarja më shumë se sa të madhe.