AlbanianSport.com 15.06.2016 13:45
ASNN – Didier Deshomp ka nënvizuar rëndësinë e ndeshjes së sotme me Shqipërinë dhe ka pranuar se priste më shumë në ndeshjen e parë kundër Rumanisë. Në konferencën për shtyp trajneri i Francës, ka theksuar se ndaj Shqipërisë duhet patjetër fitorja për të evituar mundësinë e një pozicioni jo komod para ndeshjes së fundit në grup kundër Zvicrës.
Francën e pret një ndeshje e vështirë sot në Velodrom. Kështu është shprehur në konferencën për shtyp trajneri Didier Deshomp, përpara sfidës me Shqipërinë. Ai ka pranuar se i ka frikë kundërshtarët e sotëm. “Do të luajmë kundër një skuadre shumë të organizuar, – ka thënë francezi. – Jo më kot ka një skuadër të drejtuar nga një trajner italian, që ka bërë një punë të shkëlqyer.”
“Mbrohet mjaft mirë dhe kundërsulmojnë shpejt. Futbollistët shqiptarë shkojnë në sulm me të gjitha forcat, e nuk kanë vetëm cilësi fizike por edhe mendore”, – ka shtuar Deshompi, i cili ka folur më pas edhe për ndeshjen me Rumaninë, nga e cila nuk ka mbetur i kënaqur nga loja e futbollistëve të tij. “Rezultati është thelbësor, por ndonjëherë mënyra se si arrihet duhet riparë”, – ka pohuar ai.
“Jam I bindur se ndeshja e parë me Rumaninë na ka bërë që të reflektojmë, – ka vijuar trajneri i përfaqësueses së vendit organizator. – Do të doja të ishim më zotër të fushës në atë ndeshje.” Nisur nga kjo, trajneri i galëve pret një tjetër prezantim nga skuadra e tij në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Përsa i përket formacionit, trajneri francez ka vendosur që Pogba dhe Grizman të mos luajnë titullarë ndaj Shqipërisë.
Për këtë zgjedhje të tij, ai jep këtë përgjigje: “Dua vetëm të fitoj, nuk ka rëndësi se kush luan. Kemi tre ndeshje në grup. Të parën e fituam, kjo është e dyta. Unë nuk bëj asnjë llogari. E pamë që ndeshja e parë nuk ishte e thjeshtë. Shikoni kalendarin. Duhet ndryshim.”