AlbanianSport.com 09/03/2020 17:05
ASNN – Turku flet posaçërisht nga Kishnjevi për RTSH Sport për shortin e Ligës së Kombeve dhe kuqeblutë. Engin Fërati, turku që përveç detyrës së trajnerit të Moldavisë, kryen edhe atë të drejtorit sportiv të Vllaznisë së Shkodrës, ka dhënë të hënën një intervistë të posaçme për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Në këtë intervistë, ai ka folur për shortin e Ligës së Kombeve të Evropës. Përfaqësuesja e Moldavisë ka njohur para pak ditësh kundërshtarët e saj në Ligën e Kombeve të Evropës dhe, për trajnerin e saj, Engin Fërat, Kosova është skuadra më interesante.
“Në fakt, ne patëm një short të veçantë, – ka thënë ai. – Nuk e di sesi mund të ndodhte një grup i tillë, por ja që ndodhi. Ne jemi në të njëjtin grup me Greqinë, Slloveninë dhe Kosovën. Është interesant, pasi në çdo grup që të ishin, të 3 këto skuadra, sidomos Greqia dhe Sllovenia, kanë potencialin të ishin të parat e renditjes në mbyllje të ndeshjeve. Por tanimë ato janë të 3 në të njëjtin grup dhe jam i sigurt që trajnerët janë po aq konfuzë sa unë. Po flasim për Greqinë, ish-kampione e Evropës, Sllovenia ka plot lojtarë të mirë që luajnë nëpër skuadrat më të mira të kontinentit.”
“Ndërsa Kosova është një nga skuadrat më të përmirësuara këto vitet e fundit në Evropë dhe, mbase, një nga skuadrat më të uritura për sukses, – ka vijuar 49-vjeçari. – Prandaj, për të gjitha skuadrat, ky grup është shumë i vështirë dhe nuk mundet askush të thotë që kjo apo skuadër do ta fitojë lehtësisht këtë grup. Për këtë arsye, çdo ndeshje është si një ndeshje finale. Unë kam folur me disa prej drejtuesve të ekipeve të tjera, siç është, për shembull, z. Agim Ademi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilin, për më tepër, e kam mik.” “
“Pra, do të jetë një grup i vështirë për skuadrat, por për tifozët do të jetë një grup shumë interesant, pasi të gjitha ndeshjet do të jenë të luftuara, – ka theksuar Fërati. – Por ky është futbolli dhe ne do të japim më të mirën tonë. Unë shpresoj që të marrim rezultate të mira në këtë grup. Që të jem i sinqertë, duket se Kosova përbën rrezikun më të madh, sepse është skuadra më e përmirësuar dhe më e uritur e momentit. Megjithatë, do të shohim se çfarë do të ndodhë.” 49-vjeçari është zgjedhur si trajneri i vitit në Moldavi dhe ai shpjegon edhe arsyet e këtij vlerësimi.
“Sa i përket çmimit të trajnerit ë vitit në Moldavi, është e vërtetë që tingëllon paksa e çuditshme, duke qenë se kam qenë këtu për pak kohë, – ka thënë ai. – Por duhet të shikoni dy ndeshjet ku ne bëmë një paraqitje shumë të mirë, një paraqitje që u dha shpresë njerëzve se gjërat po ndryshojnë. Ne, në fakt, kemi nisur një numër projektesh këtu në Moldavi, sidomos në sektorin e të rinjve. Pra kemi nisur të ndryshojmë shumë gjëra këtu dhe mendoj se kjo është arsyeja se pse njerëzit kanë nisur të kuptojnë se me punë të palodhur, çdo gjë mund të ndryshojë.”
“Unë jam krenar që, për të gjitha këto, njerëzit këtu në Moldavi më kanë vlerësuar me kaq respekt”, – ka përfunduar trajneri i përfaqësueses moldave.