AlbanianSport.com 09/03/2020 19:50
ASNN – Engin Fërati, turku që përveç detyrës së trajnerit të Moldavisë, kryen edhe atë të drejtorit sportiv të Vllaznisë së Shkodrës, ka dhënë të hënën një intervistë të posaçme për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Në këtë intervistë, ai ka folur për shortin e Ligës së Kombeve të Evropës dhe ka shprehur besimin e tij për suksesin e Shqipërisë në grupin e saj.
“Sa i përket grupit të Shqipërisë, unë pata mundësinë të bisedoj me z. Duka gjatë hedhjes së shortit dhe, siç i thashë edhe atij, Shqipëria është skuadra favorite për vendin e parë, – ka thënë ai. – Skuadrat e tjera nuk është se kanë ndonjë lojtar të spikatur në rrafshin individual dhe prandaj i vënë më tepër theksin lojën kolektive dhe asaj fizike. Prandaj e shoh Shqipërinë më të favorizuar, sepse Shqipëria ka një ndërthurje të lojës fizike me atë teknike.
Kjo është arsye pse mendoj se Kombëtarja kuqezi është favorite e fortë në këtë grup.”
“Ajo që unë shoh si problem për Shqipërinë në këtë grup është se i duhet të udhëtojë shumë për të luajtur ndeshjet, më shumë sesa skuadrat e tjera, ashtu sikundër mund të jetë problem të luajtur në një sipërfaqe artificiale në Astana, në Kazakistan, – ka theksuar Fërati. – Por unë kam besim që skuadra shqiptare ka tanimë përvojën e nevojshme për t’i përballuar dhe kapërcyer këto sfida dhe Shqipëria do ta kalojë me sukses këtë grup.”