AlbanianSport.com 09/08/2020 20:10
ASNN – Rrëfehet arkitekti i suksesit të Lokomotivës së Zagrebit, që ka qenë një nga të papriturat e këndshme të futbollit kroat të këtij sezoni, duke siguruar titullin e nënkampiones dhe, për herë të parë në histori, pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Dhe, në një intervistë të posaçme për Fjala.al, zbuluesi i talenteve, Besnik Prenga, i cili ka qenë një arkitektët e këtij suksesi, teksa në të kanë spikatur edhe 5 futbollistët shqiptarë që luajnë në ekipin kroat, ka rrëfyer edhe këtë sezon të ekipit të dytë të kryeqytetit kroat.
“Të them të drejtën, vendi i dytë në kampionat është një vend befasues për të gjithë sportdashësit, për të gjithë opinionin publik dhe, madje, edhe për specialistët, por ne ia kishim bërë shërbimin e duhur këtij vendi”, – ka pohuar ai, duke vijuar të vlerësojë edhe paraqitjen e lojtarëve shqiptarë tek Lokomotiva. “Këtë vit ishte kënaqësi të ishe shqiptar në Zagreb e sidomos për mua ishte një kënaqësi e madhe, pasi Lokomotiva, për herë të parë, fitoi të drejtën të marrë pjesë në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve.”
Prenga beson tek potenciali i futbollit shqiptar, duke thënë se “edhe gjatë intervistave të mëparshme, por edhe gjatë kohës që punova në Shqipëri, gjithmonë kam theksuar se kampionati shqiptar dhe Shqipëria në përgjithësi, ka shumë talente”. Duke parë suksesin e Lokomotivës dhe rrugën që ka ndjekur ky klub drejt suksesit, Besnik Prenga mendon se “edhe ekipet shqiptare i kanë të gjitha mundësitë ta ndjekin këtë rrugë që kemi ndjekur ne”.
“Klubi ynë është një dëshmi për ekipet shqiptare që, edhe me pak financa, por me shumë përkushtim, me kujdes dhe me administrim të mirë, mund të realizosh shumë gjëra”, – thotë ai. Në vijim, AlbanianSport.com do t’ju sjellë intervistën e plotë të ish-futbollistit shqiptar, të konceptuar në trajtën e shkrimeve të veçanta.