AlbanianSport.com 08/11/2021 17:10
ASNN – Të hënën pasdreke është luajtur në Rrogozhinë edhe ndeshja që uli siparin e javës së 8-të të Kategorisë Superiore”, midis Egnatias dhe Vllaznisë. Kjo sfidë u mbyll në barazim 1-1, me të dyja skuadrat që nuk përfituar dot nga hapat fals të Teutës dhe Kukësit. Golin e parë të sfidën e shënoi skuadra e Egnatias në minutën e 16-të, ku një goditje nga distanca e Iseni ka përfunduar në fundin e rrjetës, duke mposhtur kështu portierin e Vllaznisë, Zogovic.
Në minutën e 45-të të pjesës së parë është bërë protagonist edhe Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), që u ka ardhur në ndihmë shkodranëve, duke dhënë një 11-metërsh të kthyer në gol nga Liridon Latifi, që ka barazuar kështu rezultatin në 1-1. Pjesa e dytë pati raste nga të dyja skuadrat për të shënuar edhe golin e fitores por pa arritur të konkretizojnë rastet e krijuara. Mbyllet kështu kjo sfidë mes Egnatias dhe Vllaznisë me rezultatin 1-1.
Të dyja skuadrat kanë ndarë pikët, por pa arritur të kthehen tek fitorja. Pas këtij barazimi, Vllaznia dhe Egnatia ndajnë përkatësishtvendin e 5-të dhe të 6-të, me nga 10 pikë secila. Në fakt, pas humbjeve me Kukësin dhe Tiranën, shkodranët prisnin të ktheheshin te fitorja në javën e 8-të dhe pikërisht në vizitën që i bënë Egnatias. Por verdikti përfundimtarë është një barazim 1-1. Rrogozhinasit edhe njëherë kanë treguar se janë një e papritur e këndshme e këtij kampionati.
Të besuarit e trajnerit Gugash Magani kanë kaluar të parët në epërsi në këtë takim. Në minutën e 16-të është Besar Iseni që ka ekzekutur një goditje të fortë nga distanca duke mundur portierin e shkodranëve, Zogoviç dhe 1-0. Vllaznia hidhet e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit, por duhet të presë fundin e pjesës së parë për të gjetur rrugën e rrjetës. Latifi është penguar në mënyrë të parregullt në zonë nga portieri Puja.
Dhe gjyqtari Bajramaj, me ndihmën e Sistemit VAR, ka akorduar 11-metërsh. Latifi ka marrë përsipër ekzekutimin e goditjes nga pika e bardhë dhe nuk ka gabuar, 1-1. Edhe në pjesën e dytë mundësitë nuk mungojnë, apo pretendimet për 11-metërsh nga ana e shkodranëve, por rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund, mbyllet në barazim 1-1. Ky ishte në fakt edhe barazimi i 4-t për të dyja skuadrat në këto 8 javë të para, që i lë plot 10 pikë prapa Tiranës kryesuese.