AlbanianSport.com 31/10/2021 21:40
ASNN – Kategoria Superiore ka mbyllur të dielën javën e saj të 7-të dhe të dyja takimet, si Teuta-Kastrioti në Shkodër, ashtu edhe Partizani-Egnatia në kryeqytet, janë mbyllur me rezultatin identik, 1-1. Tirana kryeson e shkëputur në kuotën e 17 pikëve, 3 më tepër sesa Kukësi i vendit të dytë, ndërsa Teuta mban vendin e 3-të, me 12 pikë.
Nga një pikë kanë ndarë në kryeqytet edhe Partizani dhe Egnatia e Rrogozhinës. Në ndeshjen e luajtur në Stadiumin “Arena Kombëtare”, kanë qenë miqtë nga Rrogozhina që kalojnë në epërsi pas vetëm 6 minutash lojë, kur portieri Alban Hoxha nuk tregohet i vëmendshëm dhe topi i goditur nga Xhekson i ikën nga kontrolli dhe përfundon në rrjetë.
Megjithëse Partizani reagon dhe provon, por, sikundër ka bërë shpesh në këtë fillimsezon, edhe shpërdoron pafund, arrin të barazojë shifrat me një aksion mjaft të bukur vetëm në minutat shtesë të pjesës së parë. Murataj hap bukur lojën për Markun, që pason për Tedi Carën dhe ky i fundit barazon shifrat me një goditje me kokë.
Në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat kanë qenë të luftuara, ndërsa Egnatia është ndalur vetëm nga shtylla horizontale 17 minuta para fundit. Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, mbyllet në barazim kjo ndeshje dhe Partizani vazhdon krizën e rezultateve, duke mos e gjetur ende fitoren e parë pas 7 javësh kampionat dhe mbetet në zonën e ftohtë të renditjes.