AlbanianSport.com 12/09/2021 19:55
ASNN – Mposht Kastriotin 2-0, vendosin dy golat e Stefën Çinedus në 20 minutat e para. Ka nisur me një fitore rikthimi pas thuajse një dhjetëvjeçari i Dinamos në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorinë Superiore. Blutë kryeqytetas kanë triumfuar 2-0 në fushë të huaj ndaj Kastriotit të dielën, me të dy golat e shënuar në 20 minutat e para.
Dinamo ka konfirmuar kështu se është një skuadër shumë e fortë dhe do jetë në mesin e të fortëve këtë sezon. Skuadra e trajnerit Blendi Shkëmbit luajti në fushë të huaj ndaj Kastriotit dhe fitoi me shifrat 0-2. Ndeshja nisi me golin më të shpejtë të javës dhe, me siguri, një nga më të shpejtët edhe në gjithë javët e ardhshme të Superiores.
Stefën Çinedu arriti të finalizojë shumë mirë një aksion të rrezikshëm të skuadrës së tij dhe gjeti rrjetën pas vetëm 37 sekondash lojë. Nigeriani u kthye edhe si protagonist në minutën e 20, duke shënuar me harkim shumë të bukur mbi portierin. Në fakt, gjyqtari kryesor, Kridens Meta, i sinjalizuar nga ai anësor, e anuloi fillimisht këtë gol për pozicion jashtë loje.
Por, më pas, Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) vendosi për gol, me të drejtë pasi 21-vjeçari ishte në pozicion të rregullt në momentin e pasimit të topit. Në pjesën e dytë Kastrioti ishte shumë më aktiv, por Dinamo arriti të mbrohet mirë dhe të administrojë ndeshjen, duke marrë një fitore me shumë vlerë dhe treguar qartë forcën e saj, duke u rikthyer me fitore në Superiore, pas shumë vitesh mungesë.