AlbanianSport.com 16.10.2016 15:50
ASNN – Është luajtur të dielën një tjetër ndeshje e vlefshme për javën e 4-t të grupit B të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë dhe Dinamo e Bylisi janë ndarë me rrjeta të paprekura. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pasi ka sjellë të të shtunën drejtpërdrejt takimin e vlefshëm për javën e 4-t të grupit A të Kategorisë së Parë, midis Kamzës dhe Erzenit, që u fitua nga vendasit me rezultatin 2-1, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë të dielën pasdreke një tjetër ndeshje të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Dinamo dhe Bylisi kanë zbritur në fushën e blertë të Kompleksit Sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës duke kërkuar fitoren që kryeqytetasit do t’i ngjiste në vendin e dytë dhe ballshiotët në krye të renditjes krahas Lushnjës. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave për të gjetur golin.
E njëjta tablo ka qenë edhe në pjesën e dytë, me Dinamon më këmbëngulëse, por të paqartë në konkretizimin e aksioneve dhe me Bylisin të kujdesshëm në mbrojtje dhe duke synuar të godasë me kundërsulm. Për rrjedhojë, edhe pjesa e dytë nuk do të prodhojë gol.
Kështu, të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë dhe mbeten sërish në të njëjtat pozita në renditje, me Dinamon në vendin e 5-të me 5 pikë dhe Bylisin në vendin e 3-të, me 7 pikë. Transmetimet sportive mbyllen të martën, me takimin e vlefshëm për javën e dytë të grupit A të Kategorisë së Parë, midis Elbasanit dhe Lushnjës.