AlbanianSport.com 26/02/2024 20:45
ASNN – Vllaznia cinike merr pikën në Durrës. Dinamo City mundet 0-1 në “Niko Dovana”, vendos Alivoda për shkodranët. Një gol, tri pikë dhe vendi i dytë në renditje. Vllaznia ka arritur të marrë maksimumin në sfidën e javës së 25-të, atë të luajtur në “Niko Dovana” përballë Dinamos, të fituar me rezultatin 1-0 ku vendosi goli i shënuar nga Alivoda në minutën e 28-të. Kështu, Vllaznia është ngjitur në vendin e dytë në renditjen e Kategorisë Superiore, pasi ka mundur me rezultatin 1-0 Dinamon në ndeshjen e së hënën në Durrës.
Një lojë voluminoze e skuadrës dinamovite, me kuqeblutë më racionalë dhe pragmatistë, që arritën të godasin në momentin e duhur me një gjuajtje mjeshtërore nga ana e Alivodës. Në fakt, kanë qenë blutë më kërkues që në nisjen e ndeshjes, teksa shkodranët mbroheshin me rregull për të thumbuar me kundërsulme. Por sapo gjetën mundësinë, ata nuk gabuan, duke kaluar në epërsi me një gjuajtje mjeshtërore të Alivodës i cili dërgoi topin aty ku Sali nuk mund të arrinte. Edhe në pjesën e dytë ishin dinamovitët që kishin më shumë inisiativën, madje goditën edhe shtyllën horizontale.
Por finalizimi i rasteve nuk u konkretizua deri në fund. Në fundin e ndeshjes, Dinamo mbeti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq të akorduar për Hoxhën, pas një nderhyrja ndaj Balajt. Në fund, fishkëllima e gjyqtarit Cjapi mbylli një ndeshje argëtuese që ngjiti Vllazninë në vendin e dytë në renditje, me 43 pikë, 6 më pak se Egnatia e vendit të parë. Ndërsa Dinamo tani është me pikë të barabarta me Tiranën, 35, me të cilën ndan vendin e 4-t dhe të 5-të në renditje.