AlbanianSport.com 30/09/2019 16:25
ASNN – Një shtetas me “arrest shtëpie” thyen rregullin dhe shkon në stadium. Duhej të ishte një festë sportive, për të gjithë kryeqytetin, me protagonistë tifozët e të dyja skuadrave si dhe futbollistët në fushë, por ka degjeneruar në dhunë. Përpara derbit, tifozët e të dyja skuadrave, Tiranës e Partizanit janë përplasur midis tyre duke shkaktuar trazira brenda stadiumit “Selman Stërmasi”. E për këto vepra të dhunshme policia ka marrë masat e saj ndëshkimore. Janë 9 të proceduar për aktet e dhunës gjatë ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani.
Midis tyre është shtetasi E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili gjatë ndeshjes ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe është konfliktuar me tifozët e Partizanit. E mbi të gjitha, ai ka qenë me masë sigurie “Arrest shtëpie”, të cilën e kishte thyer duke dalë nga banesa. Është bërë arrestimi i tij në flagrancë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”, 6 shtetas me banim në Tianë, të moshës nga 19-46 vjeç. Janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas për veprat penale: “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes janë konfliktuar me tifozët e Partizanit.
Gjithashtu dyshohet se këta dy shtetas, gjatë natës, përballë tribunës ku ishin ulur, kishin hapur tre gropa, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me menkanizëm me ndezje elektrike. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.