AlbanianSport.com 06/10/2019 16:05
ASNN – Skuadra e ardhur nga Kategoria e Dytë, e papritura e madhe e këtij sezoni në Të Parën. Devolli ka dëshmuar se, përtej faktit se sapo është ngjitur nga niveli i 3-të i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Dytë, në Kategorinë e Parë, mbetet një ekip ambicioz që synon për më lart. Dhe skuadra e drejtuar nga një veteran i stolit shqiptar si Stavri Nica, ka korrur të dielën një fitore të rëndësishme, e për më tepër një fitore me përmbysje përballë një rivali të fortë si Lushnja.
Në fakt, takimi i zhvilluar në Bilisht dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dhe që vuri përballë vendasit që mbanin deri në prag të sfidës vendin e dytë në renditjen e grupit B, me 7 pikë, dhe myzeqarët, që mbanin vendin e parë, me dy pikë më tepër, i ka mbyllur me rrjeta të paprekura 45 minutat e para. Por miqtë kanë shkuar në dhomat e zhveshjeve me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Mones.
Megjithatë, janë lushnjarët që kalojnë në epërsi në minutën e 63-t, kur Canka përfiton nga pasimi i Maganit dhe nuk e ka të vështirë të shënojë. Por vendasit nuk dorëzohen dhe këmbëngulin deri në fund dhe në të 78-të do të barazojnë fillimisht shifrat me anë brazilianit Da Mota. Dhe 3 minuta para fundit është sulmuesi Ivan që gjen golin e dytë, duke kurorëzuar përmbysjen e vendasve. Devolli fiton 2-1 dhe merr kështu i vetëm kreun e renditjes së grupit B, me 10 pikë, një më tepër sesa Lushnja dhe Apolonia.