AlbanianSport.com 20.02.2017 14:05
ASNN – Interesimi i të gjithë sportdashësve për të ndjekur derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana, ka qenë gjithnjë i madh. Por duket se në shkallët e Stadiumit “Selman Stërmasi”, tifozët e Partizanit do të jenë të pranishëm, ndërsa ata të Tiranës, jo. Ata vazhdojnë të bojkotojnë skuadrën e tyre për shkak të vendimeve të klubit bardheblu lidhur me përdorimin e stadiumit nga të kuqtë.
Ndërsa të gjithë presin me ankth orën 18:00 kur do të nisë ndeshja Partizani-Tirana, në sportelet e biletarive nuk është i njëjti interesim. Tifozët e Partizanit vazhdojnë të shkojnë për të blerë biletat, ndërsa ata të Tiranës janë më të paktë në numër. Deri në mesditë, biletat për tifozerinë e kuqe ishin në mbarim jo vetëm për tribunat qendrore por edhe në ato sektorë të tribunave përballë të përcaktuara për ta.
Sipas punonjësit të shërbimit në pikën e shitjes së biletave në Stadiumin “Selman Stërmasi”, tifozeria bardheblu ka qenë shumë e pakët në numër. Teksa janë shitur një pjesë e mirë e tribunës qendrore, ndërsa për pjesët e tjera të stadiumit nuk bëhet fjalë fare. Ashtu siç kishte deklaruar më parë nëpërmjet profilit të tyre në rrjetin social “Facebook”, grupimi kryesor i mbështetësve të Tiranës, “Tirona Fanatiks”, nuk do të jetë në stadium, për shkak të mospajtimit me vendimin e klubit për lejimin e Partizanit t’i luajë ndeshjet e veta në Selman Stërmasi.
Ata do ta ndjekin derbin te “Xhomlliku. Për herë të parë futbollistët bardheblu, nuk do të kenë përkrahjen e tifozëve të tyre në një derbi, ndërsa do të ndjejnë brohoritjet e tifozerisë së kuqe në mbështetje të skuadrës së tyre. Derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana do të luhet sonte, duke nisur nga ora 18:00 në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.