AlbanianSport.com 14/03/2024 14:30
ASNN – Dejvi Shkëmbi do të përfaqësojë Shqipërinë në fushatën eliminatore të Kampionatit Evropian “eEuro 2024” për lojërat elektronike, që organizohet nga UEFA në bashkëpunim me kompaninë “EA Sport”. Regjistrimet ishin të hapura deri më datë 13 janar 2024 dhe gjithsej kishin aplikuar mbi 180 persona, ndërsa të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë e fitoi Dejvi Shkëmbi.
Gjatë prezantimit, ai u shpreh i lumtur dhe krenar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin e lojrave elektronike “eEuro 2024”. Në turneu e lojrave elektronike do të marrin pjesë 51 ekipe Kombëtare, teksa UEFA ka përcaktuar edhe ndarjen e grupeve. Në total janë 7 grupe dhe Shqipëria është pozicionuar në grupin C së bashku me Italinë, Poloninë, Maltën, Letoninë, Slloveninë dhe Luksemburgun.
Dejvi Shkëmbi i cili përfaqëson Shqipërinë, në fazën eliminatore do të zhvillojë gjithsej 6 ndeshje dhe mundësia e vetme për të kaluar në finale është për ta mbyllur në vendin e parë. Në fazën finale do të kalojnë vetëm 8 ekipe që do të luftojnë për çmimet që UEFA ka vënë në dispozicion për këtë turne. Ndeshjet e fazës së grupeve do të luhen online më datë 16 dhe 17 mars 2024.
Dhe në muajt në vazhdim do të zhvillohet edhe faza finale e Kampionatit Evropian për lojërat elektronike “eEuro 2024”.