AlbanianSport.com 23/04/2020 19:25
ASNN – Duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nga shtëpia e tij, ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, nuk dëshiron të shprehet për fatin e këtij sezoni të Serisë A apo kampionateve të tjera, duke e vënë theksi mbi të gjitha, tek shëndeti. “Sot nuk është aq e lehtë të thuash nëse kampionatet duhet të synojnë të përmbyllen ose jo”, – ka thënë ai.
“Varet sepse çdo rast është i ndryshëm sa i përket gjithë Evropës, edhe pse pastaj është UEFA që duhet të përcaktojë skuadrat që do të luajnë në Ligën e Kampioneve e cilat në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, – ka vijuar 63-vjeçari. – Këto janë çështjet që ajo duhet të synojë t’i zgjidhë, por ajo që sot ka rëndësi për njerëzit është që diskutimi mbi shëndetin publik është gjëja më e rëndësishme.”
“Nuk munden dhe nuk duhet të vdesin më njerëz nga koronavirusi, sepse nuk ka pajisje të mjaftueshme shëndetësore për të kryer terapinë intensive, – ka theksuar italiani. – Pastaj është edhe gjetja e një mjekimi apo vaksine që do t’i bënte ballë kësaj situate, që është një nga më delikatet, më të shëmtuarat që kemi parë në këtë periudhë që jetojmë.”
“Uroj të gjendet sa më shpejt, se ky virus na ka tronditur jetën dhe nuk ka në plan të dytë në këtë diskutim. Prandaj uroj që njerëzit e futbollit të gjejnë një rrugëdalje në një mënyrë të zgjuar, me synimin final që njerëzit e zakonshëm të mos kenë probleme e të mos vuajnë nga kjo”, – ka përfunduar Xhovani De Biazi.