AlbanianSport.com 23/04/2020 20:55
ASNN – Duke lënë mënjanë epideminë e koronavirusit, ish-trajneri italian i Kombëtares, Xhovani De Biazi, i cili mban edhe pasaportën shqiptare, ka rrëfyer duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, se ishte pranë nënshkrimit me një ekip përfaqësues në mars të këtij viti, ndërsa tani mbetet i hapur, pse jo, edhe për një ofertë nga klubet.
“Se ku do të punoj pas koronavirusit, nuk e di, – ka thënë ai. – Para koronavirusit kam patur një interesim të madh nga një ekip përfaqësues dhe duhet të vendosja me të më 18 mars se cili do të ishte destinacioni im i ardhshëm. Por tanimë jam në pritje të përfundimit të kësaj gjendjeje të shkaktuar nga koronavirusi dhe paskëtaj të mund të gjej një punë të re.”
“Nëse do të ishte ekip përfaqësues, do të ishte mirë, por edhe po të jetë një ekip klubi, nuk ka problem”, – ka shtuar ai. Në fakt, në 10-ditëshin e fundit të janarit, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit u përfol se do të rikthehej në profesionin e tij, për të drejtuar një ekip përfaqësues. Mediat italiane patën raportuar se De Biazi pritej që të merrte drejtimin e futbollit iranian.
Sipas këtyre medieve, De Biazi pati biseduar me drejtuesit e Federatës Iraniane të Futbollit dhe këta të fundit i kishin ofruar një kontratë prej 2 vitesh e gjysmë duke menduar edhe për Botërorin e Katarit. Por duket se shpërthimi i epidemisë së koronavirusit, prej të cilës Irani është një nga vendet më të prekura, bëri që kjo marrëveshje të mos finalizohej.