AlbanianSport.com 19/01/2024 18:20
ASNN – Çiklistja kuqezi, Nelia Kabetaj, shpallet “kampione” e Ballkanit në garën e çiklokrosit për kategorinë e të rriturave (Elitë), që u mbajt të shtunën në Vatra Dornei të Rumanisë. Ajo ka triumfuar në një disiplinë të vështirë të çiklizmit, dhe ky sukses merr përmasa të tjera, teksa arrin të mposhtë edhe të ftohtin e madh dhe kushtet e vështira atmosferike.
Në Vatra Dormei të Rumanisë është zhvilluar edicioni i parë i këtij Kampionati Ballkanik, ndërsa kjo ishte hera e parë për shqiptaren që banon në Itali, që merrte pjesë në një garë të tillë. Në një terren të vështirë dhe krejtësisht me borë dhe ngricë, Kabetaj ka arritur të lërë nga pas dy konkurrentet rumune dhe dy konkurrentet serbe, teksa finishin e ka prerë e para në kohën e 45 minutave e 27 sekondave.
Madje, sipas trajnerit të saj, Valentin Kabetaj, ka qenë e detyruar të ndërrojë dhe biçikletën, teksa nuk funksiononin as frenat hidraulike për shkak të ngricave. Për çiklizmin shqiptar ky është suksesi i parë ndërkombëtar i vitit 2024, ndërsa shpresohet që ajo të arrijë të marrë pjesë dhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, sepse pikët ka arritur t’i grumbullojë, teksa ka dhe të tjera veprimtari ndërkombëtare për të kryer.