AlbanianSport.com 12/03/2018 10:40
ASNN – Kreu i organizmit që qeveris çiklizmin shqiptar, Skënder Anxhaku, është nderuar nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore për atë që ka bërë në 20 vjet për këtë sport në vendin tonë. Që nga 2002-shi, në Shqipëri janë organizuar dy Kampionate Ballkanike, më 2008-ën në Korçë, dhe më 2016-ën në Elbasan. Ndërkohë, që nga 2017-ta, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një ndër më të vjetrit në Evropë, është futur në kalendarin e veprimtarive të Federatës Botërore të Çiklizmit.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, është nderuar me medalje “Mirënjohje” nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore e dyrrotakëve. Gjithçka ka ndodhur në Stamboll, atje ku janë zhvilluar punimet e Kongresit Evropian të Çiklizmit, ndërsa Anxhaku ka qenë së bashku me sekretarin e përgjithshëm Alfred Tahiraj. Numri një i çiklizmit është nderuar për atë që ka bërë në 20 vjet për çiklizmin shqiptar.
Të paktën që nga 2002-i në Shqipëri janë organizuar dy Kampionate Ballkanike më 2008 në Korçë dhe më 2016-ën në Elbasan. Pa harruar të gjitha veprimtaritë kombëtare, apo dhe ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, por që nga 2017-ta, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një ndër më të vjetrit në Evropë, është futur në kalendarin e veprimtarive të Federatës Botërore të Çiklizmit, ndërsa ka parametra tashmë ndërkombëtare.
Lidhjet e ngushta me Italinë, numri i madh i sportistëve shqiptar që stërviten e garojnë atje të tillë si Eugert Zhupa, Redi Halilaj, Xhuljo Kamberaj, Iltian Nikaj, etj, rrisin vlerën e Anxhakut në arenën ndërkombëtare, ndërsa dhe tendenca e evropianëve për të bërë gara çiklistike si amator në Shqipëri është një tjetër tregues. E fundi i tetorit solli grupin e italianëve në Sarandë, që më pas kaluan në Greqi.
Për të gjitha këto, ndërsa gradualisht po kthehet presidenti më i vjetër i shumësportëshit shqiptar, Skënder Anxhaku është nderuar me Medalje “Mirënjohje” nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore. “Është një nder i madh për mua, por jo vetën, sepse kështu nderohet çiklizmi shqiptar në të gjitha nivelet e tij”, ka thënë Anxhaku që nga Stambolli, ku dhe u zhvillua Kongresi i Unionit Evropian të Çiklizmit.