AlbanianSport.com 25.02.2017 07:55
ASNN – Në javën e 17-të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Sopoti është mundur në fushën e vet nga Bylisi me rezultatin 0-3. Miqtë kanë qenë më kërkues, por fitoren e kanë siguruar vetëm në pjesën e dytë. Gola, 11-metërsh e karton i kuq, këto kanë qenë edhe episodet e kësaj sfide që i ka patur të gjitha. Kështu, Bylisi ka fituar 3-0 ndaj Sopotit, në ndeshjen e luajtur në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës.
Ndeshja është dominuar nga miqtë, të cilët shënojnë tre herë në portën e vendasve. Pas kësaj fitoreje Bylis forcon pozitat në vendin e dytë në grupin B të Kategorisë së Parë, me 35 pikë. Pjesa e parë mbyllet me rezultat 0-0. Vlejnë për t’u theksuar një gol i anuluar për Sopotin, në minutën e 22-të, kur Peçi ishte në pozicion jashtë loje dhe dy raste të Izuçukut. Futbollisti nigerian gjuan me kokë brenda zonës, por topi përfundon jashtë kuadratit.
Në pjesën e dytë, Bylisi arrin të konkretizojë në minutën e 56-të. Renato Hyshmeri shënon me një goditje të bukur me të djathtën brenda zonës. Më pas, në të 66-ën është sërish Hyshmeri që humbet një rast të pastër për të dyfishuar shifrat, kur me portën bosh, gjuan në mënyrë tepër të pasaktë. Minuta e 67-të dhe Izuçuku gjuan bukur me kokë brenda zonës, por topi godet shtyllën horizontale. Minutat e fundit të takimit dhurojnë emocione.
Në minutën e 90-të është Aldo Mitre që shënon, duke e çuar në 2-0 për Bylisin rezultatin e takimit. Ndërsa në minutën e 92-të, jepet një karton i kuq për Mersinin e Sopotit, për ndërhyrje të qëllimshme brenda zonës. Gjyqtari kryesor jep edhe 11-metërsh. Nga pika e bardhë është Hyshmeri që realizon. Me fitoren 3-0 të Bylisit ndaj Sopotit mbyllet kështu sfida e luajtur të premten dhe e transmetuar drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.