AlbanianSport.com 26/02/2024 15:25
ASNN – Kategoria e Parë mbyll fazën e dytë. Me takimin Bylis-AF Elbasani 0-0 ul siparin java e 22-të. Bylisi dhe Elbasani kanë ndarë pikët në duelin për kreun e renditjes të hënën, në ndeshjen që mbylli edhe fazën e dytë të Kategorisë së parë. Dy rivalet janë ndarë në një barazim pa gola në supersfidën e javës së 22-të në Stadiumin “Adush Muça”. Kështu, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur javën e 22-të të hënën, me atë që ishte një ndeshje me dy “tablo”, pasi Bylisi dhe Elbasani kanë ndarë pikët në duelin për kreun e renditjes.
Dy rivalet janë ndarë në një barazim pa gola në supersfidën e javës në Stadiumin “Adush Muça”. Me dy “tablo”, pasi në pjesën e parë kishte raste të pastra për shënim nga të dyja skuadrat, ndërsa në të dytën, ato u munduan të mbroheshin në mënyrë që të mos e pësonin. Në minutën e 12-të, Lleshi godet dhe ndalet nga Beqaj dhe, më pas topi kthehet te Greca, tentativa të cilit largohet nga Goxhaj, ashtu sikundër 13 minuta më pas, Hila provon me një gjuajtje fluturimthi, që ndalet nga Beqaj, më pas Greca me kokë e çon topin jashtë.
Bylisi reagon dhe, në minutën e 31-të, Kasa dërgon një harkim drejt zonës, por Xhefersoni nuk arrin t’i japë drejtimin e duhur topit, kurse 5 minuta para fundit, Lajthia godet me kokë, me topin që përplaset në shtyllën horizontale dhe më pas tek portieri Totoshi, por nuk e gjen kuadratin. Në minutën e 42-të, Xheferson rrëzohet në zonë, por gjyqtari akordon vetëm rivënie fundore dhe me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta ishte e vakët në raste. Në minutën e 48-të, Lajthia provon me një gjuajtje fluturimthi, tentativa e të cilit shkon mbi kuadratin e miqve.
Ndërsa në minutën e 79-të, Zaimi provon me një gjuajtje shumë afër portës për miqtë, por edhe tentativa e tij shkon jashtë kuadratit. Në minutën e 5-të shtesë vjen një rast i diskutueshëm pas një përplasje në zonë, por pas rishikimit nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kryesori vazhdon lojën. Mbyllet kështu me rrjeta të paprekura kjo sfidë dhe Bylisi e mbyll dhe fazën e dytë të Kategorisë së Parë në vendin e parë me 52 pikë, dy më tepër sesa Elbasani, të dy të shkëputur nga ndjekëset më të afërta.