AlbanianSport.com 03/06/2018 12:25
ASNN – Belgjika është një tjetër skuadër që do të marrë pjesë në Botërorin “Rusi 2018”. Nën drejtimin e trajnerit Roberto Martinez, skuadra është grumbulluar dhe ka nisur stërvitjen në Tubiz. Ai pranon se do ta kenë të vështirë kalimin e grupit, kur dihet që përballë do të ketë Anglinë, një skuadër me histori në futbollin botëror. “Është një periudhë vërtet e rëndësishme për ne në aspektin e testimit, – ka pohuar trajneri.
“Në Botëror do të përballemi me Anglinë, një ekip shumë i fortë, që ka në përbërje lojtarë mjaft të mirë, – ka vijuar ai. – Por, të mos harrojmë që edhe kundërshtarët e tjerë nuk kanë ardhur kot në Botëror. Ata do të japin gjithçka për të arritur fitoren.” Megjithatë, futbollistët që ka në dispozicion Martinez, po stërviten seriozisht.
Dhe ai është i bindur se do të zhvillojnë ndeshje të bukura, ashtu siç kanë bërë gjithnjë në veprimtaritë ndërkombëtare. “Ne jemi këtu duke u përpjekur të ndërtojmë një ekip që të jetë sa më i përgatitur për të shkuar në Botëror, – ka këmbëngulur trajneri i përfaqësueses belge. – Si dhe të vazhdojmë të realizojmë traditën e kulturës pozitive, të një ekipi në rritje që di të përballet me kundërshtarët e vështirë.”
“Ne do të japim gjithçka që kemi për të marrë maksimumin në këtë veprimtari” – ka përfunduar Roberto Martinezi. Ndërkaq, pyetjes së gazetarëve nëse do të arrijë Belgjika në finalen e Botërorit, mbrojtësi Jan Vertongen iu përgjigj: “Kjo është një pyetje e vështirë. Botërori është një arritje mjaft e madhe dhe e rëndësishme. Ne do të bëjmë gjithçka që të arrijmë në finale.”